
Fermeri Artan Sota, shprehet se drejton një sipërmarrje e cila është e vetmja në Shqipëri dhe Kosovë e konceptuar me cikël të mbyllur për prodhimin e farave.
Ai bëri të ditur për MCN Live se prodhohet kryesisht për të shitur fara për tregun shqiptar.
Por sipas tij, situata përgjithësisht është shqetësuese dhe se fermerët janë bërë pesimist, jo vetëm në drejtim të rritjes së kostove të prodhimit, por edhe të uljes së marzhit të fitimit.
Janë fermerë të vegjël mbjellin sipërfaqe të pakta, mungon bashkëpunimi me njeri tjetrin për tu bërë faktor. Çmimi mesatar për grurin është 450 lekë të vjetra për kilogramë.
Një fermer fiton rreth 6-7 lekë. Fermerët nuk kanë mundësi magazinimi dhe janë të detyruar të dalin në treg sa më parë.
Ne sot nuk kemi një informacion të saktë se sa është sipërfaqja e mbjellë me grurë në Shqipëri, të vetmet analiza janë të tregtarëve dhe ne që merremi me sektorin.
Afërsisht mbillen 60-70 mijë hektarë me grurë dhe prodhohet rreth mesatarisht diku tek 300 mijë ton grurë. Analizat tona janë empirike, sot fermerët tanë nuk janë të regjistruar, askush nuk e di se çfarë mbjell fermeri, të gjitha janë thashetheme fshati.
Ata nuk e dinë se çfarë sasie do vijë nga tregu vendas dhe janë të detyruar të dalin në treg, pjesa më e rëndësishme është se çfarë do të bëhet me uljen e kostove të prodhimit.
I pyetur se çfarë farash ofrohen lidhur me cilësinë e tyre, Sota deklaroi se ky është një problem shumë i ndjeshëm për momentin.
Sipas tij, për grurin rreth 70% e fermerëve nuk dalin në treg për të marrë fara të reja, një pjesë për hatër të padijes dhe një tjetër për ulje të kostos së kultivimit.
Sota tha se çdo fermë brenda buxhetit që ka do të bëjë planin e investimit, ndonëse u shpreh se është shumë gabim të përdorësh fara të pacertifikuara dhe por këtë duhet të vënë dorë institucionet përkatëse.
Në radhë të parë kërkohet që kultivimi i drithërave të vihet në prioritetetin e shtetit tonë, qeverisë. Problemi kryesor i parë është subvencioni i drejtpërdrejtë tek fermeri, për çdo ton të prodhuar, për sipërfaqe kultivimi.
Ne sugjerojmë por është qeveria që vendos, por duhet të ketë dëshirë për bashkëpunim nga qeveria për këtë pjesë. Nuk po vuajmë sot vetëm mungesën e fuqisë punëtore në bujqësi, por edhe ata që po merren sot janë me moshë më të madhe, është rritur mosha mesatare e kultivuesve.
Në Lushnjë në zonën ku operoj unë nuk ka ardhur dikush dhe të pyesë se sa grurë është mbjellë. Ky vit iku filloi me kosto pak më të ulëta, rendimentet janë relativisht të mira.
Por fermerët tanë nuk kanë kapacitete magazinuese, janë të detyruar të dalin në treg në momentin më të parë dhe nuk besoj se do të presin që të dalin në treg pas 2-3 muajve.



