
Pas përfundimit të protestës së djeshme të organizuar nga opozita, gjatë së cilës nuk munguan edhe incidentet e shoqëruara me veprime të dhunshme, Policia e Tiranës, sot ka njoftuar arrestimin e shtatë prostuesve të identifikuar si të dhunshëm gjatë kësaj proteste.
Në bashkëveprim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, Policia ka arrestuar shtatë persona, 14 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, ndërsa gjashtë protestues janë shpallur në kërkim.
Po ashtu, për të tretën herë radhazi është proceduar në gjendje të lirë, Gazment Bardhi, si organizator i protestës. Policia e Tiranës, konfirmon se këto veprime proceduriale, janë kryer pas verifikimeve të analizimit të pamjeve filmike të kamerave, raport shërbimeve si dhe provave të tjera të mbledhura nga grupi hetimor.
Të proceduarit akuzohen për konsumimin e elementëve të veprave penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”. Materialet procedurale, sipas Policisë, do t'i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.



