Zbulohet komunikimi Thaçi-Pompeo lidhur me Gjykatën Speciale

Zbulohet komunikimi Thaçi-Pompeo lidhur me Gjykatën Speciale

Zbulohet komunikimi Thaçi-Pompeo lidhur me Gjykatën Speciale

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dërguar një letër sekretarit të shtetit amerikan, Mike Pompeo, më 29 nëntor 2019, në përpjekje për të penguar punën e Gjykatës Speciale, ku thotë se i shpreh shqetësimin e thellë të institucioneve të Kosovës, në lidhje me Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit Special të Kosovës si pjesë e Institucionit Gjykues Special të vendosur në Holandë.

“Institucionet e Kosovës i janë tepër mirënjohës Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në veçanti Zyrës për Drejtësi Globale Kriminale të departamentit të Shtetit, për mbështetjen e vazhdueshme politike dhe financiare për etablimin e mandatit të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Sido që të jetë, ju shkruaj që zyrtarisht t’ua sjell në vëmendje shqetësimin tonë që edhe pasi kanë kaluar 5 vjet, që është edhe periudha tranzitore e paracaktuar në fillim, ka pasur pak progres në zbatimin e mandatit të paraparë të Dhomave të Specializuara. Po ashtu, më duhet të shpreh rezerva serioze, në emër të institucioneve të Kosovës, që Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit, nuk kanë dhënë rezultate siç është paraparë me mandatin e vet të përcaktuar në letrat e BE-së me Marrëveshjen me shtetin nikoqir, Holandën”, i shkruan ndër tjera Thaçi Pompeos, raporton KOHA.

 “Me keqardhje më duhet ta shpreh shqetësimin tim që mënyra në të cilën këto institucione gjegjëse vazhdojnë të operojnë është në kundërshtim direkt me atë që fillimisht ishte paraparë dhe ishim marrë vesh. ...Sidoqoftë kurrë nuk ka qenë qëllim i institucioneve të Kosovës që të gjitha procedimet të barten në shtetin e tretë të caktuar dhe të zhvendosen plotësisht nga sistemi ekzistues i drejtësisë kriminale.

Me keqardhje të madhe jua sjelli në vëmendjen tuaj këtë shqetësim, por është shqetësim serioz, pas jam i obliguar të reagoj si president i Kosovës, të cilit i janë besuar siguria dhe mirëqenia e qytetarëve, po ashtu nga Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, kultivimi i parimeve të demokracisë, mbrojtja e sigurisë kombëtare dhe ruajtja e sovranitetit të shtetit. Në të kundërtën, identiteti ynë shtetëror, përpjekjet tona për pavarësi dhe sakrificat që i kemi bërë në emër të kombit do të dëmtohen. ...Qëllimi i themelimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit Special të Kosovës ka qenë që të ndërtohet një kornizë vendore ligjore dhe institucionale kredibile për t’i hetuar dhe ndjekur krimet që dyshohet të jenë kryer gjatë 1998-2000 në Kosovë. Në këtë kontekst ka qenë e paraparë që krimet që dyshohet të jenë kryer në të dy anët e konfliktit do të hetoheshin plotësisht dhe në mënyrë të duhur. Është e papranueshme që personat emrat e të cilëve janë përmendur në raporte publike, sic është ai i senatorit zviceran Dick Marty, i publikuar në vitin 2010, i janë nënshtruar për gati 10 vite kërcënimeve se do të hetohen dhe potencialisht të gjykohen”, shkruan ai ndër tjera.

Ndërkohë Pompeo i ka kthyer përgjigje Thaçit në prag të 12-vjetorit të Pavarësisë, duke i bërë të ditur atij pasojat që do të kishte Kosova nëse pengon punën e Speciales.

 “Shfuqizimi ose minimi i punës, strukturës ose lokacionit të Dhomave të Specializuara ose Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në çfarëdo mënyre do ta dëmtonte seriozisht kredibilitetin e Kosovës në botë; pretendimet do të mbeteshin njollë e përhershme mbi Kosovën; do të vihej në dyshim përkushtimi i Kosovës në sundimin e ligjit; mohohet drejtësia për viktimat; dhe e mjegullon të ardhmen e Kosovës si anëtare e familjes Euro-Atlantike dhe komunitetit ndërkombëtar. Operimi i Dhomave të Specializuara, sipas formatit aktual është mënyra më e mirë që Kosova ta përmbyll këtë kapitull të historisë së saj dhe për t’ia mundësuar Shteteve të Bashkuara të kundërshtojnë argumentet e mohuesve të shtetit të Kosovës...”, i shkruan ai.

Thaçi, bashkë me Kadri Veselin dhe Ramush Haradinajn tentuan ta shfuqizojnë Specialen edhe në fund të vitit 2017 nëpërmjet Kuvendit të Kosovës, nismë e cila u kundërshtua nga LDK-ja dhe VV-ja, atëkohë në opozitë.

Deri më tani Gjykata Speciale ka intervistuar mbi 250 ish-pjesëtarë të UÇK-s, në cilësinë e dëshmitarëve ose të dyshuarve për krime lufte.

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy