
Pas dhënies së vendimit nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJAKK), organi i akuzës firmosi urdhër – arrestin. Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri doli me pranga në duar nga salla e kësaj gjykate dhe u dërgua në mjediset e paraburgimit të burgut 313, burg i sigurisë së zakonshme, që ndodhet në Tiranë, shkruan DW.
Ish-ministri shqiptar dënohet për përfshirje në trafikimin e drogës”, është ky titulli me të cilin agjencia e lajmeve ‘Associated Press’ ka nisur artikullin për dënimin e Saimir Tahirit.
Media greke “Prothema”, shkruan se ish-ministri i Brendshëm njëherësh dhe bashkëpunëtori politik i kryeministrit Edi Rama u dënua dhe u burgos për shpërdorim detyre.
Një artikull i është kushtuar dënimit të Tahirit edhe nga media serbe B92, e cila e thekson që në titull se ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është dënuar për bashkëpunim me mafian në trafikun e drogës.
Pas një seance maratonë GJKKO e dënoi Saimir Tahirin me 5 vite burg për ‘Shpërdorim të detyrës’. Por me gjykim të shkurtuar dënimi ulet në 3 vite e 4 muaj burgim. Tahiri u dënua vetëm për "Shpërdorim detyre" duke i ‘shpëtuar’ akuzave “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal". Në argumentimet e vendimit, Apeli i GJKKO nënvizon se rezulton se Tahiri ka lidhje me Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj dhe këto lidhje kanë ndikuar që grupi kriminal të infiltrohet në radhët e punonjësve të policisë dhe të shtetit dhe të pengojë luftën ndaj trafikut të drogës.



