
Një nga pikat e programit ekonomik të Partisë Demokratike synon të mbështesë familjet e reja. Gjatë një vizite në shtëpinë e një çifti të ri që jeton me qira në Tiranë, kryedemokrati Lulzim Basha tha se me ardhjen e PD-së në pushtet, rreth 5 mijë çifte të reja do të përfitojnë nga shteti subvencionim 100% të interesave të kredisë bankare.
“Shteti për 5 mijë çifte të reja apo 5 mijë familje të reja do të paguajë 100% të interesave bankare. Pra, kjo do të mundësojë që shumë familje, shumë çifte të reja si ju, të kenë mundësinë ta marrin kredinë me këtë mbështetje nga shteti, me këtë mbështetje nga buxheti i shtetit, me ketë mbështetje nga qeveria. Sot këtë mbështetje e gëzojnë drejtorët e administratës. Ndërsa nesër pas 25 prillit këtë mbështetje do ta kenë 5000 çifte në vit”, tha ai.
Sipas Bashës, qëllimi është që brenda 4-vjeçarit të parë të qeverisë që do të dalë nga 25 prilli, 20 000 mijë familje dhe çifte të reja do të përfitojnë nga kjo skemë dhe të kenë një banesë të tyren.
Basha tha se mbështetja financiare do të vijojë edhe me lindjen e fëmijëve dhe përgjatë viteve të tyre të shkollimit.
“Për çdo fëmijë të porsalindur do të jepet çdo muaj një përkrahje prej 30 mijë lekë të vjetra. Nuk është ndonjë shumë mrekulli por është një shumë e mjaftueshme për të përballuar kostot shtesë që sjell një fëmijë i porsalindur deri në moshën 5 vjeç, muaj për muaj 30 mijë lekë të vjetra për çdo fëmijë të porsalindur. Me fillimin e shkollës, plani ynë parashikon së pari tekste falas.
Së dyti, parashikojmë që të nisim dhe pastaj ta shtrijmë në të gjithë vendin një sistem ku edhe pasi mbaron orari shkollor fëmijët të kenë mundësi sipas mundësive dhe dëshirës së prindërve, të kenë mundësi të qëndrojnë dhe pas orëve të shkollës për të bërë detyra, për të bërë aktivitete jashtë shkollore dhe të mbështetën po kështu me një drekë nga shteti. Dhe së treti kur është faza e futjes në universitet apo në studime profesionale, parashikojmë për të gjithë ata që vijnë nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë të vjetra në muaj, mos të paguajnë tarifat e universiteteve, këto tarifa të paguhen nga buxheti i shtetit. Dhe për familjet në nevojë ekonomike të kenë edhe mbështetje ekonomike për të ndjekur studimet për t’u përgatitur për t’u futur në jetë. Pra, dora e shtetit të ndihet që nga momenti që lind fëmija e derisa bëhet gati për t’u futur në jetë, pra të mbarojë universitetin apo shkollën profesionale apo një shkollë tjetër dhe të gjejë një vend pune. Ky është një aspekt që unë mendoj do të ndihmojë shumë familjet e reja shqiptare”, tha ai.



