
Liria e shtypit në Shqipëri është përkeqësuar.
Ky është konkluzioni në të cilin ka arritur një mision ndërkombëtar, i përbërë nga përfaqësues të disa organizatave, pas mbledhjes së fakteve në vendin tonë.
Qendra Europiane për Shtypin dhe Lirinë e Medias (ECPMF), Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), Federata Europiane e Gazetarëve (EFJ), Instituti Ndërkombëtar i Shypit (IPI), Reporterët pa Kufij (RSF) dhe Organizata Mediatike e Europës Juglindore (SEEMO) kanë përpiluar një raport të përbashkët në lidhje me lirinë e medias në Shqipëri, pas takimeve me drejtues mediash, përfaqësues të shoqërisë civile, organizatave ndërkombëtare, ambasadave të huaja dhe zyrtarëve të lartë shtetërorë.
Delegacioni ka zhvilluar takime edhe me kryeministrin Rama, ndërsa vë në dukje faktin se kryebashkiaku Erion Veliaj ka refuzuar t’i presë.
“Liria e shtypit në vend është përkeqësuar. Sulmet fizike ndaj gazetarëve nuk janë zbardhur. Zyrtarët e lartë përdorin rregullisht një gjuhë kritike dhe fyese ndaj gazetarëve kritikë. Administrata publike, duke përfshirë zyrën e kryeministrit dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, nuk janë transparente në bashkëpunimin me median dhe u kufizojnë aksesin gazetarëve kritikë. Ligji për mediat, i propozuar kohët e fundit, duke përfshirë një skemë drakoniane rregullimi për mediat online shqiptare dhe të huaja, nuk është në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, thuhet në raport.
Ndryshimet ligjore për rregullimin e mediave
Raporti ngre shqetësimin e delegacionit të ekspertëve në lidhje me ndryshimet që ka propozuar qeverisë shqiptare në dhjetor 2018 për ligjin e medias, i cili synon ta bëjë të detyrueshëm regjistrimin për mediat online dhe “do të krijonte një organ administrativ me fuqi për të gjobitur dhe mbyllur mediat në internet dhe për të bllokuar mediat e huaja online pa një vendim gjykate”. Pavarësisht se gjatë takimit me kryeministrin Rama, delegacioni është njoftuar se drafti i ri eliminon mundësinë e mbylljes së mediave dhe lehtësimin e gjobave, raporti ngre shqetësimin për mungesën e vazhdueshme të transparences, duke iu referuar mungesës së konsultimeve me gazetarët dhe shoqërinë civile.
Shpifja
Duke iu referuar takimeve me gazetarët, raporti ngre shqetësimin e numrit në rritje të padive për shpifje kundër gazetarëve, të paraqitura nga politikanët, shpesh duke kërkuar shuma joproporcionale në raport me dëmin dhe ndikimin që mund të ketë te vetëcensura frika e përballjes me një akuzë të tillë. Megjithatë, vlerësohet puna e gjykatave shqiptare, të cilat siç konstaton raporti gjithnjë e më shumë aplikojnë standardet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në rastet e shpifjes.
Siguria e gazetarëve: kërcënime, sulme dhe vetë-censurë
Në raport thuhet se raste të ndryshme sulmesh fizike dhe kërcënimesh serioze ndaj gazetarëve në lidhje me raportimin e tyre mbeten të pazgjidhura nga autoritetet. Kohët e fundit, gazetarët u plagosën gjatë protestave anti-qeveritare. “Gazetarët hulumtues janë ngacmuar ose shkarkuar për shkak të raportimit të tyre, në disa raste pas ndërhyrjes së dyshuar të politikanëve të partisë në pushtet”, thuhet më tej. Moshetimi i kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve kontribuon në forcimin e një atmosphere mosndëshkueshmërie, e cila mund të inkurajojë autorët për të kryer sulme të ngjashme dhe për të intimiduar gazetarët në heshtje.
Fushatat kundër gazetarëve
Raporti evidenton përplasjet e kryeministrit Rama me gazetarët, të cilëve shpesh u është referuar si "kazan". Po ashtu, udhëheqësi i opozitës, Lulzim Basha, i referohet mediave si "të kapur dhe të blerë". “Një gjuhë e tillë denigron gazetarët dhe i bën ata të duken si një objektiv legjitim për agresionin në sytë e publikut, duke rritur rrezikun e kërcënimeve apo dhunës kundër tyre”, thuhet në raport.
Transparenca e institucioneve – aksesi në informacion
Situata e aksesit në informacione dhe transparenca e qeverisë në Shqipëri paraqitet e përzier. Raporti konstaton se pavarësisht se ligji ekziston, zbatimi i tij mbetet i pamjaftueshëm. “Autoritetet shtetërore vazhdojnë t'i mohojnë gazetarëve qasje në dokumente me interes publik të ligjshëm dhe thelbësor - veçanërisht ato që kanë të bëjnë me kontratat publike, ofertat dhe koncesionet - dhe përdorin taktikat e vonesës, në mënyrë të tillë, që kur gazetarët ta marrin informacionin, ai të mos ketë më vlerë”, kontaton raporti, i cili në këtë pikë, vlerëson rolin e Komisionerit të Informacionit dhe Mbrojtjes së të Dhënave dhe gjykatave shqiptare.
Ndërsa sa u përket marrëdhënieve të administratës shtetërore me median, vihet në dukje aksesi i kufizuar për gazetarët e pavarur dhe përdorimi i formateve të veta të komunikimit për të anashkaluar mediat kritike. “Kryeministri nuk zhvillon konferenca të rregullta për shtyp. Kur mbahen konferenca të tilla, vetëm gazetarët që punojnë për media pranë qeverisë lejohen të bëjnë pyetje. Nuk lejohet kamera nga mediat. Gjithnjë e më shumë, kryeministri përdor ERTV, kanalin e tij televiziv në internet, si portalin e tij zyrtar për komunikim me publikun. Gjatë fushatave zgjedhore, siç është fushata aktuale, gazetarët pengohen të mbulojnë zhvillimet e fushatës dhe në vend të tyre sigurohen materiale të përgatitura”, thuhet në raport.
Pronësia e mediave
Misioni konstaton se pronësia e medias shqiptare dhe të ardhurat nga reklamat mbeten të përqendruara në duart e disa grupeve familjare, me shkallë të lartë të pronësie ndërsektoriale. Një ligj i mëparshëm që përmban rregulla specifike mbi pronësinë e stacioneve televizive nuk është më në zbatim.



