PD do të mbledhë ditën e mërkurë, Këshillin Kombëtar, ku pritet të zgjidhet ekipi i ri drejtues i partisë.
Vendimmarrja e këtij organi pritet të përcaktojë strukturën kryesore drejtuese të PD-së në vijim, përfshirë edhe zgjedhjen e nënkryetarëve dhe funksioneve të tjera drejtuese.
I ftuar në "MCN Live", gazetari Mariglen Kume komentoi procesin zgjedhor në PD, duke u ndalur te posti i kryetarit të grupit parlamentar, që mbahet nga Gazment Bardhi.
Sipas tij, fakti që ky post nuk i nënshtrohet votimit dhe garanton automatikisht një pozicion drejtues në parti përbën një "double standard".
Pa pasur asgjë me emrin e individit, kryetari i grupit parlamentar nuk do t'i nënshtrohet votimit ditën e nesërme, por do të jetë ex officio nënkryetar i PD-së.
Kjo vjen për shkak të statutit, i cili përcakton se një nga nënkryetarët e partisë është kryetari i grupit parlamentar.
Sipas tij, ndërsa posti i kryetarit të grupit parlamentar mbetet i paprekur, funksionet e tjera drejtuese do t'i nënshtrohen procesit të votimit nga Këshilli Kombëtar.
Do të votohet për të gjithë të tjerët. Kemi kandidatura si ajo e Luçiano Boçit, Klevis Balliut, i cili ka shprehur ambicien për postin e nënkryetarit të PD-së.
Po ashtu, në diskutim janë edhe emra të tjerë, mes tyre edhe Belind Këlliçi.
Mund të ketë ndryshime edhe në pozicione të tjera drejtuese, duke përfshirë edhe nënkryetarin e Kuvendit, Agron Gjekmarkaj.
Nga të gjithë të tjerët pritet votim, ndërsa vetëm posti i kryetarit të grupit parlamentar të PD-së nuk preket dhe kalon automatikisht në postin e nënkryetarit të partisë.
Kjo më duket një 'double standard'.



