Lobimi për Ukrainën/ Ish-shefi i fushatës së Trumpit ka paguar emra të mëdhenj të politikës europiane

Lobimi për Ukrainën/ Ish-shefi i fushatës së Trumpit ka paguar emra të mëdhenj të politikës europiane

Ish-shefi i fushatës elektorale të Donald Trump-it, Paul Manafort (në foto), ka paguar në mënyrë të fshehtë një grup politikanësh europianë të nivelit të lartë, me shuma rreth 2 milionë euro, për të lobuar për presidentin e atëhershëm të Ukrainës, Viktor Janukoviç, i mbështetur edhe nga Rusia. Detajet kanë dalë nga hetimet e prokurorëve amerikanë. Sipas akuzave të depozituara nga prokurori i çështjes “Russiagate”, Robert Mueller, Manafort ka ftuar të ashtuquajturin Grupi Hapsburg, i përbërë nga ish-politikanë europianë, të mbajnë qëndrim në favor të Ukrainës, edhe përmes lobimit në SHBA.

Presione mbi parlamentarët amerikanë

Grupi që ka operuar nga viti 2012 në 2013-n drejtohej nga një ish-kancelar europian, emri i të cilit nuk bëhet i ditur. Sipas hetimeve, ai së bashku me pjesëtarë të tjerë të grupit kanë lobuar te parlamentarët amerikanë dhe funksionarët e Shtëpisë së Bardhë. Sipas akuzës, ky lobim duhej të dukej si një vlerësim i pavarur për veprimet e qeverisë së Ukrainës, ndërsa në të vërtetë ata ishin paguar për ta bërë këtë. Manafort, 68 vjeç, është nën akuzë për riciklim parash, mashtrim fiskal dhe bankar në lidhje me punën që ka bërë që nga viti 2006 deri në 2014 për Janukoviçin.

Kontaktet me ish-kancelarin austriak

Mediat austriake shkruajnë se ish-kancelari europian që përmendet në hetim është Alfred Gusenbauer, i cili ka drejtuar vendin në vitin 2007-2008. Duke folur për agjencinë APA, Gusenbauer ka mohuar të ketë bërë lobim dhe ka theksuar se nuk ka dëgjuar kurrë të flitet për Grupin Hapsburg. “E kam takuar Manafort dy herë mesa mbaj mend. Por nuk kam pasur të bëj me aktivitetet e tij në Ukrainë dhe as me partinë e Janukoviçit dhe aktivitetet e tij në SHBA”, ka thënë 58-vjeçari Gusenbauer.

Nga 2016-a me Trump-in

Janukoviç ka qenë president i Ukrainës nga 2010 deri kur u largua nga pushteti në vitin 2014 me revolta popullore. Në atë moment, Manafort ndaloi së punuari për të, duke u kthyer në SHBA dhe në vitin 2016 iu bashkua fushatës presidenciale të Trump-it. I mbështetur nga Moska, Janukoviç në atë kohë shihej me dyshim nga pjesa më e madhe e Europës për shkak të qëndrimeve pro Rusisë dhe akuzat ndaj tij për korrupsion. Hetimet zbulojnë se Manafort qëndron pas rikthimit spektakolar të Janukoviçit në politikë, pas protestave të vitit 2004, të njohura si Revolucioni Portokalli. Me ndihmën e Manafort-it, Partia e Rajoneve e Janukoviçit fitoi zgjedhjet presidenciale të vitit 2006 dhe 2010, duke mundur rivalen Julia Timoshenko.

Marrëdhëniet Janukoviç-Manafort

Aleatët e Janukoviçit ngulin këmbë se eksperti dhe strategu politik Manafort ka pasur një influencë të jashtëzakonshme te ai. Revista “Atlantic” shkruante se ata të dy kishin një “marrëdhënie të ngushtë personale”. Janukoviç jeton aktualisht në Rusi dhe kërkohet në Ukrainë për tradhti të lartë ndaj vendit. Grupi Hapsburg duhej të “vepronte në mënyrë informale dhe pa asnjë marrëdhënie të dukshme” me qeverinë ukrainase, thuhet në memorandumin e hartuar nga Manafort në korrik të vitit 2012.

Pavarësisht se nuk ka asnjë akuzë që e inkriminon Manafortin për shkelje që lidhen me Grupin Hapsburg, këto aktivitete lobimi janë cituar për të treguar se Manafort ka bërë punë aktive për lobimin në favor të Ukrainës dhe ka shkelur ligjin duke mos u regjistruar si lobues në SHBA. Në Kiev, prokurorët thonë se kanë në plan të bashkëpunojnë me Uashingtonin për çështjen “Manafort”.

Prodi: Nuk kam qenë kurrë pjesë e grupeve të lobimit

Mes emrave që kanë dalë nga radhët e politikanëve europianë është edhe ai i ish-kryeministrit italian, Romano Prodi. “Nuk kam marrë kurrë pjesë në aktivitete të kësaj natyre dhe aq më pak në grupe sekrete lobimi. Nuk kam marrë kurrë kompensim për aktivitete të tilla”, ka thënë Prodi. Stafi i tij reagoi me një deklaratë në lidhje me një shkrim të publikuar në “politico.eu” në lidhje me këtë çështje. “Kryeministri Romano Prodi është impenjuar në mënyrë që të konkretizohej një afrim i Ukrainës me Europën. Por puna e tij në këtë aspekt ka qenë publike përmes konferencave që janë mbajtur në kryeqytete të ndryshme të Europës. Ky ka qenë një impenjim serioz në rolin e tij politik si president i Komisionit Europian”, thuhet në reagim.      / Përgatiti: Gazmira Sokoli /     

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy