
Zjarri që përfshiu kullën Grenfell në Londër vitin e kaluar, kur humbën jetën 80 persona, mund të mos kishte ndodhur por të mos ishin panelet izoluese prej materiali të djegshëm. Një raport i pavarur i botuar në mediat britanike thotë se zjarri u përhap në të gjithë ndërtesën për shkak të këtyre paneleve.
Panelet e jashtme, me kosto të ulët, ishin të vendosur në fasadën e jashtme të ndërtesës, pas restaurimit të aprovuar nga Këshilli Administrativ i Kesingtonit dhe Çelsit.
Sipas raportit të cituar nga Evening Standard, zjarri ka nisur në një apartament për shkak të një pajisjeje elektroshtëpiake me defekt, ndërsa më pas flakët janë përhapur në të gjithë ndërtesën për shkak të paneleve që kanë marrë flakë me lehtësi. Zjarri pushtoi ndërtesën në pak minuta, duke e kthyer në një “ferr në qiell”, që u mori jetën 80 banorëve të pallatit shumëkatësh.



