Kriza botërore e pandemisë së Covid-19 i ka ka zbutur tonet mes maxhorancave qeverisëse dhe opozitave. Por ndryshe nga shumë vende të tjera, në Shqipëri, maxhoranca po përpiqet të krijojë kapital politik. Kështu e sheh analisti Mustafa Nano sjelljen e palëve politike gjatë situatës së vështirë të krijuar në vend nga koronavirusi. Në një bisedë në studion e lajmeve në TvT, Nano tha se një sjellje e tillë e maxhorancës komplekson opozitën, e cila në një situatë të tillë është e detyruar të jetë oponencë.
“Jo vetëm në Shqipëri, opozita është treguar skrupuloze. Ndryshe nuk do të mund të shpjegohej, jemi në emergjencë planetare. Ka kohë për të bërë opozitë. Është një gjë që verifikohet gjithandej. Nuk ka opozitë. Ka vetëm një grup të bashkuar. Opozita bën sugjerime, por nuk e sheh si momentin e duhur për të bërë opozitë. Në Shqipëri, maxhoranca përpiqet të krijojë kapital politik. Dhe kjo i krijon një kompleks dobësie opozitës, e cila përpiqet të bëjë atë që bën në kohë paqeje”, tha Nano.
Sipas analistit Nano, roli i kryeministrit Rama është forcuar, por ajo që mbetet shqetësuese është përpjekja e tij për të përfituar edhe më shumë nga situata.
“Roli i Edi Ramës është forcuar, ky është zhvillim negativ. Por kjo është normale, në situata të tilla roli i liderëve është forcuar. Është e natyrshme, marrim Conten apo Merkelin. Shqetësuese është përpjekja e Ramës për ta rritur praninë e vet dhe për të përfituar nga kjo situatë”, tha ai.
Ndërsa për “shkrirjen e akujve” mes presidentit dhe maxhorancës, Nano thotë se duhet pritur për të parë se deri ku shkon ajo. Megjithatë, një aleancë tjetër të mundshme PS-LSI, Nano e sheh me shqetësim.
“Ka bërë përshtypje vullneti i Metës për bashkëpunim me maxhorancën. Nëse është vullnet në rrethanat e emergjencës, duhet duartrokitur. Unë kam dëgjuar insinuata të tipit “Meta po merr kthesën”. Nëse është kjo, atëherë është një ngjarje e rëndë dhe serioze. Aleanca PS-LSI është konsumuar si aleancë. Nuk shoh arsye pse duhet të rrinë bashkë. Nuk e di edhe nëse LSI duhet të rrijë me PD. Një aleancë e re PS-LSI do të dukej absurde dhe nuk i duhet vendit”, tha ai.



