
I dërguar i presidentit amerikan për dialogun Prishtinë-Beograd, Richard Grenell, emërohet drejtor në detyrë i Zbulimit Kombëtar. Vendimi është konfirmuar nga presidenti Trump.
"Jam i kënaqur të njoftoj se ambasadori ynë shumë i respektuar në Gjermani, Richard Grenell, do të bëhet ushtrues detyre i Drejtorit të Zbulimit Kombëtar. Rick (Richard Grenell) ka përfaqësuar vendin tonë jashtëzakonisht mirë dhe mezi pres të punoj me të", ka shkruar presidenti Trump në Twitter.
Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar shërben si mbikqyrëse e Komunitetit të Shërbimeve të Inteligjencës që përbëhet nga 16 agjenci të ndryshme zbulimi, më e njohura prej të cilave është Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA). Kjo zyrë u krijua pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, për të bashkërenduar punën e agjencive të zbulimit.
Emërimi si Ushtrues i Detyrës do të thotë që Grenell nuk do të duhet të konfirmohet në Senat, raporton AP.
Grenell zëvendëson Joseph Maguire, i cili ka shërbyer si ushtrues detyre i drejtorit të Zbulimit Kombëtar, që nga gushti.



