
“Kemi një qeveri që nuk mund të shantazhohet dhe rrëzohet nga askush”. Kështu iu përgjigj pyetjes nëse rrezikohet dialogu Kosovë-Serbi nga kërkesa për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe analisti Krenar Shala.
Nga studio e lajmeve të MCN TV, Shala tha se Kosova ka nisur të përmirësojë pozicionin e tij në dialog dhe nuk mund të vihet në një pozicion për të dhënë një marrëveshje të keqe për qytetarët e Kosovës.
Pjesë nga intervista:
30 miliardë euro ka premtuar Brukseli për Ballkanin Perëndimor, me cilat projekte duhet të paraqitet Kosova në mënyrë që të përfitojë nga kjo paketë?
Shala: Janë disa projekte në proces dhe disa të tjera nuk kanë filluar. Janë projekte që janë të kushtueshme dhe do të marrin kohë derisa të zbatohen.
Ka patur një deklaratë sot nga Drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, i cili është shprehur se tema e vetme gjatë raundit të ardhshëm të dialogut do të jetë ekskluzivisht formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe. Si mendoni se do t’i qaset qeveria e Kosovës kësaj kërkese dhe a rrezikon dialogu të futet në ngërç?
Shala: Për shumë kohë diplomacia e Serbisë ka arritur ta fus në një kurth që ose duhet ta japë dorën ose këmbën. E para nuk mund të flitet më për shkëmbim territorial dhe e dyta në 2015 me nënshkrimin e një marrëveshje që thotë se do të ndiqet me rrugë kushtetuese. Jemi në një situatë të re ku Kosova nuk përballet më me këto situata. Kosova ka nisur të përmirësojë pozicionin e tij në dialog. Kemi një qeveri që nuk mund të shantazhohet dhe rrëzohet nga askush dhe nuk mund të vihet në një pozicion për të dhënë një marrëveshje të keqe për qytetarët e Kosovës. Statuskoja do të vazhdojë. Jemi në një proces ku dialogu do të vazhdojë.
Javën e ardhshme zhvillohen zgjedhjet lokale në Kosovë. Ju besoj po e ndiqni nga afër procesin, çfarë tregojnë sondazhet dhe reagimet në opinionin publik, cila parti shihet favorite?
Shala: Duhet të kemi parasysh që nuk janë të njëjta me zgjedhjet e përgjithshme. Rezultatet do të jenë të ndryshme. Lista serbe do të jetë ajo që do të fitojë më shumë komuna, mund të fitojë 10 komuna. E dyta do jetë LDK dhe më pas nuk di të them me saktësi.



