Hetimet e Prokurorisë së Posaçme kanë arritur të vërtetojnë 3 fakte të denoncuara nga media dhe partitë politike të opozitës:
Tentativat për të fshehur pronarët duke hapur kompani offshore në Hollandë i vështirësuan hetimet e Prokurorisë Së Posaçme. Kjo do të konfirmohej nga një deklartë që kreu i SPAK Altin Dumani, bëri gjatë një seance në komisionin parlamentar të ligjeve disa muaj më parë.
“Shihet një tendencë e të ardhurave kriminale të tyre jashtë juridiksionit shqiptar në kompanitë offshore apo parajsa fiskale, duke e rritur ndjeshëm vështirsinë e gjurmimit dhe ndjekjes së tyre.” deklaroi kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani.
Dy prokurorët që kanë hetuar në aferën e inceneratorit të Tiranës, Dritan Prençi dhe Arben Kraja, kanë marrë në pyetje me ndihmën e autoriteteve jashtë Shqipërisë, të gjithë zinxhirin e pronarëve të kompanive që rezultojnë, apo kanë qënë më parë, aksionere në kompaninë Integrated Energy, sot e regjistruar në Hollandë me emrin Geogenix.
Sipas asaj që thuhet në dosjen hetimore, pronarët që rezultojnë në Qendrën Kombëtare të Biznesit, si përfitues fundorë të kompanisë në Hollandë, kanë mohuar që të kenë firmosur dokumentat e depozitimit të emrave pranë autoriteteve shqiptare si aksionerë të kompanisë Integrated Energy B.v S.p.v.
“Jam president i kompanive ‘Bruno Presezzi’ dhe ‘Franco Tosi Meccanica’ dhe aksioner ‘i fjetur’ i shoqërisë hollandeze ‘Geogenix B.V’ (ish-‘Integrated Energy’), bërë nëpërmjet marrëveshjes mes shoqërisë ‘Franco Tosi Meccanica’, ‘ICARE Holding’ dhe shtetasit Giusseppe Ciaffaglione më datë 6 prill 2022. Përfshirja ime dhe e aksionerit tjetër ‘ICARE’ ishte me kusht pasi këto dy shoqëri të gjenin 100 milion euro që duheshin për të ndërtuar inceneratorin e Tiranës. Pasi të sigurohej financimi, atëherë do të aktvizoheshim si aksionerë të shoqërisë hollandeze ‘Geogenix B.V’. Nuk kam dijeni se çfarë ndodh me menaxhimin dhe kontrollin financiar të ‘Geogenix B.V’, pasi nuk kemi arritur akoma të gjejmë financimin për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës. Kam njohur gjatë vitit 2022 shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri përmes Giusseppe Ciaffagliones. I kam takuar shumë herë gjatë vitit 2022 dhe për inceneratorin e Tiranës kam diskutuar me shtetasin Mirel Mërtiri. Mërtiri kishte një peshë të madhe në shoqërinë ‘Integrated Energy B.v S.p.v’, pasi merrej me anën teknike
dhe bisedonte me të gjithë furnizuesit. Nuk e njoh administratorin e shoqërisë Herman Daniel Vermuelen dhe nuk kam autorizuar asnjë person që të përdorë të dhënat e pasaportës time për të më regjistruar si përfitues fundor në shoqërinë ‘Integrated Energy B.v S.p.v’.” ka deklaruar përpara autoriteteve italiane për llogari të SPAK, Alberto Presezzi.
Fabula që tregojnë pronarët e kompanive italiane që kanë përvojë në fushën e menaxhimit të mbetjeve Energy Recuperator dhe Paul Wurth është një skemë klasike e përfitimit të tenderave në Shqipëri duke u kamufluar pas shoqërive me emër. Firma ITS në pronësi të Klodian Zotos kishte nënshkruar një marrëveshje me kompaninë Paul Wurth me synimin për të marrë pjesë në tenderin e inceneratorit dhe më pas aksionet ia ka shitur sërish Klodian Zotos për një shumë të vogël. Ja se çfarë ka deklaruar administratori i kompanisë Paul Wurth Italia, Thomas Hansmann, për llogari të SPAK.
Lidhjen dhe pronësinë në kompaninë Geogenix në Hollandë e ka mohuar dhe Ernesto Granelli, pronar i firmës Energy Recuperator.
Giusseppe Ciaffaglione pranon të jetë pronar me 18% të aksioneve te inceneratori i Tiranës. I pyetur nga autoritetet italiane për llogari të SPAK ai ka deklaruar:
“Akioneri ‘Paul Wurth’ që kishte blerë më herët aksionet e ‘Energy Recuperator’ ka hequr dorë nga aksionet e shoqërisë hollandeze ‘Integrated Energy B.v S.p.v’ dhe në vend të tij ka hyrë shoqëria ‘Franco Tosi’ dhe ‘ICARE’ me 40% të aksioneve secila, vetë unë kam marrë 18% të aksioneve. Nuk kam paguar asnjë shumë monetare për përfitimin e këtyre kuotave, por më janë dhënë për shkak të kapaciteteve teknike që zotëroj dhe se nevojitesha për projektin. Nuk kam dijeni si merreshin vendimet në shoqërinë hollandeze.”
Sipas versionit të Ciaffagliones, puna kryesore në Shqipëri e tij lidhej me inceneratorin e Fierit dhe ka pranuar se në disa raste Klodian Zoto e ka marrë për ta shoqëruar te bashkia e Tiranës dhe Ministria e Mjedisit për të firmosur disa dokumenta, por nuk e kishte idenë se me çfarë kishin të bënin.
“Kam qënë i punësuar deri në vitin 2017 te shoqëria ‘Energy Recuperator’ për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit. Më pas, në gusht 2017 më ka mbaruar kontrata dhe kam lidhur kontratë me kompaninë shqiptare të Klodian Zotos. Të gjitha detyrimet për strehimin, qiratë dhe nevojat e mia i ka mbuluar Klodian Zoto. Gjatë qëndrimit tim në Shqipëri jam frekuentuar kryesisht me teknikë të ngarkuar për realizimin e impiantit, por në dy raste, punonjëse të studios ‘Zoto Consulting’ më kanë shoqëruar në zyrat e Ministrisë së Mjedsit dhe në një zyrë në Bashkinë Tiranë për të nënshkruar dokumenta që ishin përgatitur nga zyra e Klodian Zotos. Edhe pse kam figuruar administrator te inceneratori i Tiranës, angazhimi im kryesor ka qënë te inceneratori i Fierit. Kam vënë re që ka patur dokumentacione që mbanin firmën time, por nuk janë nëshkruar nga unë. E kam pyetur Klodian Zoton dhe më ka thënë që nuk kam asnjë arsye përse të shqetësohem. Me anën ekonomike te inceneratori i Tiranës nuk jam marrë unë, por punonjëse të lidhura me Klodian Zoton që më jepnin formularë, kupona për të kryer transferta në bankë, por nuk di as shumën dhe as përfituesit e këtyre transfertave. Klodian Zoton e njoh nga Mirel Mërtiri. Mërtiri kryente aktivitetin e koordinimit dhe verifikimit për llogari të shoqërisë ‘ITS’ dhe ka qënë i pranishëm në mbledhjet që bëheshin për inceneratorin e Tiranës pasi ishte i interesuar për ecurinë e punimeve dhe kur unë parashtroja problematika ai aktivizohej të gjente zgjidhjet.” ka shtuar ai.
Administratori i kompanisë Integrated Energy në Shqipëri, Herman Daniel Vermuelen ka thënë për llogari të SPAK se ai në fakt njeh si pronarë të Geogenix firmat Franco Tosi Meccanica, ICARE Holding s.a dhe Giuseppe Ciaffaglione. Edhe pse pranon se nuk është takuar ndonjëherë me pronarët e kompanive, Alberto Presezzin dhe Max Abitbol.
SPAK dyshon se kompanitë që figurojnë si pronare të kontratës së inceneratorit të Tiranës pranë autoriteteve shqiptare, dalin pronare me dokumenta fiktive dhe sipas përgjigjes që kanë kthyer autoritetet hollandeze, pronarë të regjistruar të shoqërisë Geogenix në Hollandë, janë firmat Energy Recuperator, Paul Wurth dhe ITS, kjo e fundit në pronësi të Klodian Zotos.
“Aksionerët themelues të shoqërisë hollandeze ‘Geogenix B.V.’ me emrin tregtar të mëparshëm ‘Integrated Energy B.V.’ rezultojnë shoqëritë ‘Paul Wurth Italia’, ‘Energy Recuperator’ dhe ‘Integrated Technology Services’. Nuk administrojmë dokumentacion tjetër në lidhje me ndonjë ndryshim aksionerësh.” thuhet në letër porosinë e mbërritur nga Hollanda.
Hetuesit kanë gjetur në kompjuterin e Klodian Zotos, një dokument në formën e një marrëveshje bashkëpunimi mes ITS dhe Paul Wurth dhe Energy Recuperator e datës 29 korrik 2016, e cila përcakton se në çdo moment, kompania ITS në pronësi të Zotos, mund të refuzonte bashkëpunimin dhe dy firmat italiane ishin të detyruara të shisnin aksionet.
Në të dhënat që ka siguruar SPAK zbërthehet dhe skema se si urdhrat për vendimet që merreshin nga kompania Geogenix drejtoheshin nga Tirana përmes vartëses së Zotos dhe Mërtirit, Denisa Tollkuçi. Kompanitë ‘Almares Management BV’ dhe ‘Residence Corporate Services’, ishin firmat të cilat punonin si zyra ligjore dhe kontabël për llogari të firmës Geogenix. Të dy këto kompani, siguronin që dokumentacioni i firmës të ishte ligjor, në formë të rregullt dhe gjithashtu të gjenin drejtues e menaxherë për të nënshkruar vendimet që vinin nga Tirana me porosi të dyshes Zoto-Mërtiri.
Në disa komunikime që Denisa Tollkuçi ka patur me punonjës të këtyre kompanive, kërkohej ndryshimi i adresës, miratimi i bilancit për Geogenix nga Dhoma e Tregtisë në Hollandë dhe emërimi i drejtorëve A dhe B. Në një rast, Tollkuçi insiston për të ndryshuar adresën, por punonjësi i kompanisë konsulente që mbulonte shërbimet për Geogenix, Marc Lappat, shprehet se nuk ka arritur të marrë nënshkrimin e drejtorit. Ai sugjeron gjetjen e një drejtori tjetër që jeton në Amsterdam dhe që është i disponueshëm në çdo moment për të vendosur firmën.
“Denisa, Klodian. Bëra të pamundurën për të rregulluar një Drejtor të ri A, dhe ai sapo konfirmoi përmes Michael i cili është kontakt i tij i drejtpërdrejtë. Kërkesat e tij janë të njëjta si për kontratën e Martijn: 1500 euro në muaj (pa tvsh) dhe 6 muaj pagesë paraprake. Ai jeton në Amsterdam dhe sapo mora të dhënat e tij duke më lejuar të përgatis të gjithë dokumentet. Javën e ardhshme ai nuk është në dispozicion për të nënshkruar, kështu që unë jam duke u përpjekur të rregulloj nënshkrimet dhe letrat e tij për këtë javë. Nuk do të ishte mirë ta anuloni këtë tani papritmas, por sigurisht varet nga ju. Ju lutem më tregoni si dëshironi ta vazhdoni. Përshëndetje të përzemërta, Marc.” shkruan në një e-mail Marc Lappat.
Këtij emaili i është përgjigjur Klodian Zoto.
Marc Lappat i ka kthyer këtë përgjigje.
“Ok, do t’i them, por nëse ai pranon a je në rregull të vazhdosh me të dhe a mund të përgatis dokumentet dhe të nënshkruaj dhe regjistroj gjithçka?” përgjigjet Lappat.
Pasi merr konfirmim nga Zoto, një ditë më pas Mark e përditëson me situatën.
Hetimet e prokurorisë kanë arritur të gjejnë jo vetëm se si Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto ishin pronarët realë të kompanisë që ka kontratën e inceneratorit të Tiranës dhe kishin përfshirë emra firmash të huaja për të dhënë imazhin se pas inceneratorit kishte pronarë të tjerë, jo vetëm emëronin punonjës fiktivë si drejtorë në Hollandë për të nënshkruar vendimet që ‘de facto’ i merrinin ata, por menaxhonin dhe paratë e kompanisë Geogenix. Paratë që merrte kompania Integrated Energy kaloheshin përmes disa firmave të tyre në Tiranë, një pjesë të hapura fiktivisht dhe disa të tjera që ofronin shërbime dhe konsulenca. Një pjesë e parave shkonte jashtë pranë firmës Geogenix. SPAK ka arritur të identifikojë dy llogari, një në Zvicër dhe një tjetër në Bullgari, ku aksesi te këto pasuri ishte vetëm i Mirel Mërtirit.
“Janë gjetur emaile nga adresa e Denisa Tollkuçi në drejtim të shoqërisë ‘Almares Management B.V.' që të nënshkruajë dokumentacion dhe prokura, të cilat i japin të drejtë shtetasit Mirel Mërtiri që të veprojë në emër të shoqërisë holladeze ‘Integrated Energy B.V.’ për të hapur llogari bankare në Zvicër dhe kryer transaksione nga kjo llogari.”
Deri më sot, SPAK nuk ka arritur të zbardhë pjesën më të rëndësishme të kësaj dosje: Ku ka kanë shkuar miliona euro të marra nga buxheti i shtetit dhe në xhepat e kujt kanë përfunduar? Ajo që dihet është se paratë kanë shkuar në llogaritë e disa kompanive në emër të Zotos e Mërtirit në Shqipëri dhe një pjesë kanë qarkulluar në bankat e Zvicrës dhe Bullgarisë. Gjatë sekuestrimit të inceneratorit të Tiranës, administratorët shtetërorë kanë gjetur vetëm disa qindra mijra euro në në arkë, nga 105 milion euro të dhëna nga shteti dhe ndërtuesit për depozitimin e dherave. Është konstatuar se investimet nuk janë kryer dhe inceneratori nuk ekziston, ndaj e panjohura e këtij ushtrimi është vendi ku janë ‘djegur’ paratë e hedhura nga buxheti!



