Ceko: Dobësimi i bujqësisë po rrit importet dhe po shtyn çmimet drejt rritjes, sot inflacioni real rreth 8%

Ceko: Dobësimi i bujqësisë po rrit importet dhe po shtyn çmimet drejt rritjes, sot inflacioni real rreth 8%

Paralajmërimet e Bankës së Shqipërisë mbi inflacionin dhe zhvillimet ekonomike në vend po shoqërohen me shqetësime të ekspertëve për rritjen reale të çmimeve dhe dobësimin e sektorit bujqësor. 

 

Eksperti i ekonomisë, Enriko Ceko në ‘MCN Economy’ thotë se ndonëse shifrat zyrtare e paraqesin inflacionin brenda objektivave të Bankës së Shqipërisë, qytetarët po përballen çdo ditë me një kosto jetese shumë më të lartë. Sipas tij, ekzistojnë dy mënyra të ndryshme të matjes së inflacionit. 

 

Kemi dy lloj inflacionesh. Një inflacion që llogaritet nga Instituti i Statistikave mbi bazën e një shporte me 320 produkte dhe një inflacion bazë që llogaritet nga Banka e Shqipërisë, ku përjashtohen produkte të ndjeshme si energjia dhe karburantet.

 

Ai thekson se për këtë arsye Banka e Shqipërisë raporton një inflacion bazë prej 2.5% për tremujorin e parë të vitit, nivel që mbetet brenda objektivit prej rreth 3% të përcaktuar për vitin 2026. Megjithatë, eksperti argumenton se realiteti i konsumatorëve është ndryshe.

 

Me letra është në rregull Banka e Shqipërisë, por inflacioni i vërtetë është ai që ndjejmë në supermarket. Atje çmimet janë rritur me 7-8% dhe kjo ndihet çdo ditë nga qytetarët.

 

Eksperti lidh rritjen e çmimeve edhe me krizën në bujqësi dhe rënien e prodhimit vendas. Sipas tij, emigracioni dhe braktisja e zonave rurale kanë bërë që rreth 300 mijë hektarë tokë bujqësore të mbeten të pambjella, ndërsa prodhimi i perimeve pritet të jetë 34% më i ulët krahasuar me një vit më parë.

 

Ceko nënvizon gjithashtu se ka rënë ndjeshëm edhe prodhimi i qumështit për shkak të përgjysmimit të numrit të bagëtive krahasuar me vitin 2001. Sipas tij, situata rëndohet edhe nga amortizimi i mekanikës bujqësore dhe reduktimi i numrit të traktorëve në vend.

 

Kjo situatë çon në rritjen e importeve dhe, rrjedhimisht, në rritjen e çmimeve”, paralajmëron eksperti.

 

Ai shpreh dyshime edhe mbi numrin real të fermave aktive në Shqipëri. Ndërsa zyrtarisht raportohen rreth 340 mijë ferma, Ceko vlerëson se vetëm 60 deri në 70 mijë prej tyre prodhojnë realisht për treg, ndërsa pjesa tjetër mbijeton kryesisht për konsum familjar.

 

Sipas tij, fragmentarizimi i tokës dhe mungesa e specializimit e bëjnë të vështirë zhvillimin e fermave si biznese funksionale. 

 

Fermerët prodhojnë nga pak nga të gjitha, vetëm për të mbijetuar. Shumë prej tyre nuk mbajnë llogari për kostot dhe nuk arrijnë të sigurojnë fitim.

 

Eksperti thekson se varësia nga importet është bërë gjithnjë e më e madhe, pasi Shqipëria importon shumicën e ushqimeve, plehrave kimike, pesticideve dhe makinerive bujqësore. Ai shton se edhe industria agro-përpunuese mbështetet kryesisht në lëndë të parë të importuar.

 

Bujqësia është sektori që furnizon tregun, turizmin dhe agrobiznesin me lëndë të parë. Kur ky sektor dobësohet, ndikimi negativ përhapet në të gjithë ekonominë.

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy