Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste nga selia rozë, Damian Gjiknuri, thotë se sot do të bëhet një tjetër kallëzim penal ndaj Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe Ndrea Prendit për 21 janarin, pasi ka një provë të re.
Ai tha se lidhur me këtë ngjarje kanë dalë fakte të reja duke kërkuar dhe nisjen e hetimeve për Bashën dhe Berishën nga ana e SPAK. Sipas tij, për 12 vjet kanë mirëkuptuar këdo që gishtin e ka drejtuar edhe nga PS, por që tashmë të dyshuarit kanë emra dhe mbiemra konkret dhe për këtë duhet vepruar tani.
Sot bëhen 5 ditë që opinioni publik u njoh me fakte të reja. Përmban të dhëna për fakte të reja që nuk i janë nënshtruar ndonjëherë hetimeve. Dallohet qartë se janë dhënë urdhra. Faktorët janë në audio se vrasjet janë kryer me dashje dhe jo nga pakujdesia. Përfshirja e Bashës rezulton e provuar, krijon dyshime se ndërhyrja e tij është bërë me porosi për të zbatuar urdhrin e Berishës. Provat e reja janë vendimtare. PS kërkon nga Prokuroria që të nisë hetimet. Duhet të zbulohet se përse Berisha dhe Basha ishin në krye të gardës, duhet zbuluar se kush e inskenoi planin, kush fshiu serverin e kryeministrisë me pamjet e kamerave. Për 12 vjet kemi mirëkuptuar këdo që gishtin e ka drejtuar edhe nga PS. Të dyshuarit kanë emra dhe mbiemra konkret, duhet vepruar tani.



