Ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj, thotë se vetëm një pjesë shumë e vogël e fermerëve përfitojnë nga skema e subvencioneve. Sipas saj, shkaku kryesor është informaliteti. Një pengesë tjetër sipas saj është pamundësia e fermerëve për të aplikuar për projektet që financon Bashkimi Europian.
Nëse ne krahasohemi me vetveten, ¼ e fermerëve janë të regjistruar kanë NIPT. 75% e fermerëve janë të paregjistruar. Nga kjo skemë aplikojnë vetëm një e katërta dhe fitues shpallen 25% e tyre. Kjo e bën skemën të parcelizuar. Asnjëherë nuk kemi informacion për sa para ka bujqësia dhe me sa e subvencionojmë ne. U tha në studio se nëse ne duam të marrim fonde nga BE, askush nuk të jep para që të jesh ti ai që i menaxhon. Pra duhet të hartosh projekte dhe të aplikosh që të përfitosh fonde. Kjo gjë nuk bëhet dot nga vetë fermeri. Atij nuk mund t’i kërkojmë gjithçka. Atij i kërkojmë një produkt sa më cilësor.
Nunaj tha më tej se Shqipëria është mbrapa në krahasime vendet e rajonit, sa i takon përthithjes së fondeve.
Vendet e rajonit kanë përshtatshmëri dhe marrëdhënie shumë më të mirë me qeverinë për zhvillimin në tërësi të bujqësisë. Nuk gjykoj se përthithja e fondeve është e vështirë. Duhet që qasja e politikave publike të jetë më përthithëse për individë që janë të aftë për projekte të tilla. Lidhet me pjesën e qasjes së drejtuesve të institucioneve. Shqipëria është disa hapa mbrapa. Kemi informalitet të lartë sa i përket regjistrimit të fermave dhe kemi numrin më të vogël të aplikimeve për projektet që mbështeten nga fondet IPARD.



