Zhytësit polakë kanë zbuluar një anije të mbytur të shekullit të 19-të në brigjet suedeze në detin Baltik, ku ka shumë arka me shampanjë dhe enë porcelani.
“Është plot me kuti shampanje, ujë mineral dhe objekte porcelani”, tha për AFP Tomasz Stachura, kreu i ekipit të zhytjes Baltictech, duke vlerësuar se të paktën njëqind shishe “presin” në fund.
“Jam zhytur në 40 vitet e fundit, ndodh shpesh që të ketë një ose dy shishe... por të gjej një ngarkesë të tillë, nuk më kishte ndodhur kurrë më parë”, tha Stachura.
Zbulimi, rreth 20 milje detare në jug të ishullit suedez të Eland, ishte kryesisht për shkak të fatit, thonë zhytësit të cilët kanë kërkuar prej vitesh fundin e detit Baltik për rrënoja anijesh të mbytura.

Ne ishim duke eksploruar vende të reja në shtratin e detit për kuriozitet dhe rastësisht gjetëm anijen e mbytur.
Zbulimi i ujit mineral në shishe balte të mbyllura ishte dëshmi se anija ishte fundosur në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të.
“Ne arritëm të fotografonim një pullë në një shishe, e cila doli të ishte marka gjermane Selters dhe këto pulla kishin një formë të caktuar në atë kohë. Ngarkesa ka qenë në fund të detit për 170 vjet, kështu që le ta lëmë të pushojë edhe një vit. Do të kemi më shumë kohë për t’u përgatitur siç duhet për këtë operacion”, përfundoi Stachura.



