“Jam krenar se në vitin 2013, vetëm gjysma e popullsisë mbulohej me shërbimin e grumbullimit të mbetjeve, për gjysmën tjetër nuk kishte. Rrisnin fëmijët bashkë me mbetjet”.
Kështu tha Kryeministri Edi Rama në vijim të dëshmisë së tij në komisionin hetimor për inceneratorët, kur kërkoi që të kuptohet logjikën e financimit, se pse këto para u financuan dhe ku janë 430 milionë euro.
“Sharra ishte në kufirin e saturimit dhe siç doli më pas kaloi në emergjencë totale. Sot mbulohet 87% e popullsisë dhe nuk kemi dy, por pesë impiante, përveç kësaj edhe një situatë në të cilën ku paralelisht me këto impiante kemi Beratin, Durrësin, Maliqin në Korçë, Vlorën, Kukësi është në proces. Jemi në kushtet kur mbulojmë një pjesë të madhe të vendit. Financimi për këto janë pjesë e këtij plani. Nuk u ngrita unë një mëngjes dhe thashë sot do bëjmë ca impiante”, u shpreh Rama.
I pyetur nga kryetarja e komisionit Jorida Tabaku, nëse ka pasur dijeni që tre impiantet e mbetjeve janë financiar me buxhetin e shtetit me paratë publike, ai tha se janë dy impiante të financuara nga buxheti i shtetit.
“Janë financuar Elbasani dhe Fieri, Tirana nuk është financuar nga buxheti i shtetit”, tha Rama.
Rama tha se impianti i përpunimit të mbetjeve në Tiranë ndërtohet 100% me paratë e investitorit.
Ai kërkoi ndjesë nga Tabaku për cenim dinjiteti, pasi u përfol për grup të strukturuar kriminal.



