Auron Tare, studiues dhe menaxher i trashëgimisë kulturore, tha në studion e MCN Informacion se protestat e javëve të fundit nuk lidhen vetëm me projektin për Zvërnecin, por edhe me probleme pa zgjidhje që qytetarët shqiptarë hasin përditë. Duke u ndalur në mënyrë të veçantë te ndërtimet në bregdet, Tare tha se gabime të ngjashme kanë bërë edhe vendet fqinje, nga të cilat Shqipëria duhej të kishte nxjerrë mësime.
Unë do të vijoj të dal në protestë. Për të trajtuar çështje me interes për publikun si zonat e mbrojtura, peizazhet, monumentet kulturore, kjo është Shqipëria.
Ka zemërim te njerëzit. Nuk është thjesht çështja e Zvërnecit e pelikanëve.
Kam dijeni dhe informacion të thelluar. Që në fillim fare kam thënë se është zonë e mbrojtur. Këto zona kanë specifika strikte. Aeroporti që u bë është një pjesë në zonë të mbrojtur.
Që ti të mbushësh fluturimet, duhet të ndërtosh. Aeroporti i Vlorës është bërë me garanci sovrane. Pra, nëse nuk fluturon njeri, zotëria që e ka bërë merr lekët. Është bërë kështu sepse ka dyshime që mund të mos funksionojë fare.
Këto gjëra i ka bërë dhe Italia, edhe Greqia, por i kanë bërë në vitet ’50. E kanë kuptuar gabimin dhe nuk i bëjnë më.
Tare tha se çdo përpjekje për ta shpjeguar protestën me nxitje të huaj është e pavend.
Luftën hibride e bën AKSHI dhe ju e keni trajtuar. Nuk besoj që kjo është luftë hibride sepse kushdo qoftë i përfshirë, prezenca aq e lartë e të rinjve, që e njohin botën, flasin gjuhë të huaja. Tregon se ata nuk i influencon askush. Ka zemërim të madh popullor jo vetëm për Zvërnecin, por për klasën politike 35-vjeçare.
Pjesa më e madhe e qyteteve të jugut për halle spitalore shkojnë në Janinë, Tirana është kthyer në një qytet stresues ku as fëmijët nuk kanë ku të luajnë.
Në Ballkan kur ndodhin gjëra të tilla është një shprehje “kanë gisht anglezët”, gjithmonë kërkohet dikush.



