Arkeologët duke gërmuar vendin e një ish-tregu peshku në Barcelonë kanë zbuluar mbetjet e një varke të madhe mesjetare e cila u gëlltit nga ujërat jashtë kryeqytetit katalanas 500 ose 600 vjet më parë.
Zona, e cila po gërmohet për të ndërtuar një qendër të re kushtuar biomjekësisë dhe biodiversitetit, ka nxjerrë gjetje që variojnë nga një strehë e sulmeve ajrore të luftës civile spanjolle deri te gjurmët e tregut të vjetër dhe të historisë së qytetit të shekullit të 18-të.
Por në fillim të këtij prillit, arkeologët hasën në skajin e rrënuar të një anijeje të madhe që mund të jetë fundosur gjatë një stuhie në shekujt 15 ose 16, kur ajo pjesë e Barcelonës ishte ende nën det.
Një fragment i madh i varkës, 10 metra i gjatë dhe tre metra i gjerë dhe i kryqëzuar nga më shumë se 30 brinjë të lakuar prej druri, është zbuluar në një thellësi prej 5 metrash nën nivelin e detit.
Struktura mbahej e bashkuar nga një përzierje gozhdash prej druri dhe hekuri. Ndërtimi është tipik për varkat mesjetare që u gjetën në Mesdhe dhe në të gjithë Evropën nga mesi i shekullit të 15-të.
“Ne menduam se disa mbetje varkash arkeologjike mund të shfaqen në këtë vend, i cili është afër portit dhe kalatës së gurit artificial që mbronte portin, dhe që ishte një zonë pune në shekujt 15 dhe 16. Dy vjet më vonë, ne patëm fatin të gjenim një varkë”, tha arkeologu kryesor, Santi Palacios.

Druri i mbijetuar i varkës i cili është quajtur Ciutadella I, sipas parkut aty pranë Ciutadella, është shumë i brishtë dhe është mbajtur i lagësht dhe i mbuluar me rërë në të cilën shtrihej për shekuj për të ndihmuar në parandalimin e përkeqësimit të mëtejshëm.
“Druri duhet të mbahet vazhdimisht i lagur në mënyrë që të mbahet në një gjendje të mirë,” tha Delia Eguiluz, një restaurator.
Kur ta lëvizim, do të na duhet ta çmontojmë pjesë-pjesë, në mënyrë që të vazhdojmë kërkimin tonë.
Ekipi po kontrollon vendin, duke etiketuar të gjitha pjesët dhe duke marrë mostra nga varka. Në fazën tjetër, rrënojat do të dërgohen në një objekt të posaçëm ku do të trajtohet me dyll të tretshëm në ujë për të përforcuar dhe ruajtur strukturën.
Ekspertët shpresojnë se lëndët drusore dhe gozhdat e saj të vjetra do të ndihmojnë të hedhin dritë mbi mënyrën se si u ndërtuan varkat në periudhën mesjetare. Zbulimi i saj vjen 17 vjet pasi një varkë tjetër e shekullit të 15-të, e njohur si Barceloneta I, u gjet pranë një stacioni hekurudhor në qytet.
Ekipi beson se analiza e drurit dhe rrëshirës së anijes së sapo zbuluar do të ndihmojë në përcaktimin se ku është bërë anija.
“Ky është një zbulim shumë i rëndësishëm. Nuk ka të bëjë vetëm me gjetjen e një varke, sepse ne tani kemi dy shembuj të ndërtimeve detare të dokumentuara në mënyrë perfekte në qytetin e Barcelonës”, tha Palacios.



