
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka gjobitur me 10 milionë lekë të rinj kompaninë telefonike ‘One Albania’. Në vendimin e AKEP theksohet se “One Albania” duhet të respektojë detyrimet ligjore dhe kontraktore lidhur me kufizimet e shërbimeve dhe njoftimin e pajtimtarit përpara zgjidhjes së kontratës.
AKEP ka vlerësuar se kompania e telefonisë celulare nuk ka respektuar në mënyrë rigoroze të drejtat e abonentëve dhe e ka ndëshkuar me masën minimale që parashikon ligji.
AKEP VENDOSI:
- Të miratojë propozimin e grupit të inspektimit të AKEP, për dhënien e masës administrative me “gjobë”, në vlerën 10.000.000 (dhjetë milionë) lekë ndaj sipërmarrësit të komunikimeve elektronike “One Albania” sh.a
- Ngarkohet grupi i inspektimit i ngritur me Autorizimin e Inspektimit nr. 2005 Prot., datë 29.3.2023, bazuar në vendimin e KD, të vendosë në vendimin përfundimtar të inspektimit masën administrative të përcaktuar nga Këshilli Drejtues.
- Kundër këtij vendimi lejohet ankim gjyqësor pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, brenda afatit 30 (tridhjetë) ditor të përcaktuar në nenin 136, pika 2, të ligjit nr. 9918/2008 nga data e komunikimit të vendimit.



