
Dita e sotme, 18 mars, shënon afatin e fundit për dorëzimin në KQZ të listave të kandidatëve për komisionerë të nivelit të dytë, nga partitë politike.
Në një deklaratë në emër të KQZ-së, zëdhënësja Drilona Hoxha u bëri thirrje partive politike dorëzojnë propozimet. “Data 18 Mars shënon afatin përfundimtar për depozitimin e propozimeve për KZAZ-të e zgjedhjeve të 26 qershorit. Deri tani asnjë nga partitë politike që e gëzojnë këtë të drejtë, nuk ka sjellë pranë KQZ-së propozime për komisionerë të nivelit të dytë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bën apel partive politike që kanë të drejtën të propozojnë anëtarë të KZAZ-ve që të respektojnë afatin ligjor për depozitimin e kandidaturave në KQZ”, tha ajo.
Ndërkohë, në mesazh të shpërndarë në rrjetet sociale edhe prezenca e OSBE-së në Shqipëri iu bashkua thirrjes së KQZ-së drejtuar partive politike. OSBE thekson në mesazhin e saj se vonesat në propozimin e komisionerëve vënë në rrezik zhvillimin e procesit zgjedhor.
“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri i bashkohet thirrjes së KQZ-së drejtuar partive politike për të propozuar komisionerë për Zonat e Administrimit Zgjedhor. Vonesat në propozimin e komisionerëve pengojnë trajnimin e tyre të rregullt dhe, si pasojë, vënë në rrezik zhvillimin e procesit zgjedhor në përputhje me standardet ndërkombëtare. Zgjedhjet janë e vetmja rrugë për të ardhur në pushtet dhe partitë politike janë përgjegjëse për besueshmërinë e zgjedhjeve në sytë e zgjedhësve shqiptarë”, thuhet në postim.
Partia Socialiste ishte e para që reagoi menjëherë pas thirrjes së KQZ-së. Selia rozë ka dorëzuar sot të gjithë emrat e atyre që janë kandidatë për komisionerë të KZAZ-ve.
Ndërkohë, PD dhe LSI nuk kanë dërguar kandidaturat e tyre. Dy partitë më të mëdha të opozitës vijojnë të kërkojnë me këmbëngulje zgjedhje të parakohshme, të përgatitura nga një qeveri tranzitore pa Edi Ramën.



