
Partia Demokratike mbledh grupin parlamentar për të diskutuar mbi propozimin e një dite më parë të kryetarit të kësaj partie, Lulzim Basha, për djegien e mandateve të deputetëve. Pas Partisë Demokratike, edhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të ketë mbledhje grupi në orën 13 pikërisht për këtë çështje, ndërkohë që deri tani nga LSI-ja nuk ka pasur asnjë qëndrim.
Përmes një statusi në Facebook, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, shprehte vendosmërinë për të vijuar betejën siç e quan ajo, kundër kryeministrit Edi Rama, por në asnjë moment nuk pati deklaratë në lidhje me mandatet e deputetëve.
Ndërkohë, lëvizje pritet të ketë edhe në kampin socialist. Kryeministri Rama do të zhvillojë një takim me ministrat dhe më pas do të mbledhë grupin parlamentar të PS-së.
Në një intervistë për “Corriere della Sera”, botuar sot, Rama thotë se protesta e së shtunës nuk reflekton asgjë tjetër përveç krizës në të cilën ndodhet opozita. “Nëse ka ndonjë gjë, është një krizë e thellë e opozitës që nuk është në gjendje të sfidojë qeverinë politikisht. Kjo pakicë është më e dobët se në zgjedhjet e vitit 2017: nëse do të votonim nesër do të merrnin më pak vota”, shprehet Rama.
Kreu i socialistëve hedh poshtë mundësinë e dorëheqjes, çka iu kërkua të shtunën nga opozita nëpërmjet protestës para selisë së qeverisë.
"As nuk mendoj. Kam pasur një mandat të qartë nga populli, kemi një shumicë të qartë në Parlament dhe në fund kam një detyrim ndaj qytetarëve të mi. Unë nuk jam i detyruar të ndjek kërkesat e pakicës parlamentare. Detyrimi i vetëm është kontrata me popullin shqiptar që na dha votën për të qeverisur", thotë Rama.



