Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte, njihet për luftën e egër që u ka shpallur kultivuesve dhe trafikantëve të drogës në vendin e tij. Një urdhër ekzekutiv i lëshuar ditët e fundit prej tij tregon se Duterte ka ndërmend të luftojë edhe duhanin. Urdhri i tij për të ndaluar duhanpirjen në mjediset publike ka gjetur mbështetje të gjerë në vend, përfshirë këto edhe kompanitë e prodhimit të cigareve.
Edhe Philippine Tobacco Institute (PTI) u shpreh në mbështetje të rregullores së re dhe pranoi strategjitë për arritjen e objektivave të shëndetit publik.
Ligji i ri hyn në fuqi 60 ditë pas botimit në mediat zyrtare. Ai parashikon ndalimin absolut të konsumit të duhanit në shkolla, stacione, spitale, restorante dhe shkallët e ndërtesave ose institucioneve.
Ligji parashikon edhe ndalimin e shitjes së duhanit minorenëve si dhe kufizimin e reklamave të cigareve.
Specialistët e shëndetit publik janë optimistë për ligjin e ri. Ata thonë se në harkun kohor 2010-2015, më shumë se 1 milionë filipinas e kanë lënë duhanin, një shifër që pritet të rritet akoma më shumë.
Ndërkohë, edhe duhanpirësit më të thekur janë shprehur të gatshëm për të hequr dorë prej tij pas hyrjes në fuqi të ligjit.



