
Ka përfunduar pas 5 orësh dëshmia që Albert Veliu që ka dhënë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, në lidhje me pretendimet që ai ka ngritur kundër vëllait të ministrit të Brendshëm, Xhafaj.
I njohur si dëshmitari X në audiopërgjimin me vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, prokurorët e kanë pyetur në detaje Albert Veliun si dhe i kanë marrë disa kampione të zërit, për të bërë krahasimin me përgjimin audio të publikuar disa ditë më parë po nga opozita.
Fillimisht ai është parë në selinë e Partisë Demokratike, ku është takuar me sekretarin Ivi Kaso dhe deputetin Ervin Salianji, më pas i shoqëruar nga avokatët Artan Murrizi dhe Ivi Kaso i është drejtuar organit të akuzës.
Veliu pretendon se ai ka folur personalisht me Agron Xhafajn në celular, por në intervistën e dhënë ditën e djeshme ka thënë se nuk e ka kryer ai përgjimin.
Albert Veliu pranoi se kishte folur me Agron Xhafën për të trafikuar hashash, në videon e shfaqur ditën e djeshme nga PD.
Pas publikimit te intervistës së tij nga selia e PD, ai u largua edhe nga banesa e tij në Vlorë, pasi nuk ndihej i sigurt.
Dy ditë më parë, Agron Xhafaj kallëzoi penalisht deputetët e PD-së për shpifje e mashtrim, pasi sipas tij përgjimi audio është një manipulim i bërë nga PD.
Ashtu si edhe Albert Veliu këtë të premte, Agron Xhafaj përpara se të largohej drejt Italisë ka dorëzuar po ashtu disa kampione të zërit të tij.



