
Prokurori i Përgjithshëm i Iranit, Mohammad Jafar Montazeri, njoftoi se policia e moralit ishte shfuqizuar nga autoritetet përkatëse, bëri të ditur sot agjencia e lajmeve Isna.
“Policia morale nuk ka lidhje me gjyqësorin dhe është hequr nga kush e ka krijuar atë”, tha ai dje në qytetin e shenjtë të Qom.
Vendimi pason tre muaj protesta në Iran. Gjithçka nisi menjëherë pas vdekjes së Mahsa Amini, një grua 22-vjeçare e cila u arrestua nga një njësi e policisë së moralit në Teheran, pasi dyshohet se nuk respektoi kodin e detyrueshëm të veshjes së vendit për gratë.
Gratë kanë pasur rolin kryesor në protestat që nisën pas vdekjes së Aminit, emri dhe imazhet e të cilës i përdorën gjerësisht brenda dhe jashtë vendit. Gratë kanë djegur shamitë e kokës dhe kanë prerë flokët në shenjë proteste dhe solidariteti.
Autoritetet iraniane kanë akuzuar Shtetet e Bashkuara, Izraelin, fuqitë evropiane dhe Arabinë Saudite se qëndrojnë pas trazirave të vazhdueshme, duke thënë se ata përdorën vdekjen e Aminit si një "arsyetim" për të sulmuar vendin dhe themelet e tij.
Hixhabi, i detyrueshëm që pas revolucionit islamik të vendit të vitit 1979, ka qenë një çështje qendrore ideologjike për autoritetet iraniane, të cilët kanë thënë vazhdimisht se nuk do të tërhiqen prej tij.



