“Ishte një fakt që dihej që kur u miratua buxheti por qeveria duket se ka qef të arnojë buxhetin sa herë të dojë”, kështu u shpreh sot gazetari i ekonomisë Klodian Tomorri lidhur me vendimin e qeverisë për rishikimin e buxhetit të vitit 2021.
Siç deklaroi ai ky rishikim duhej të ishte bërë që në dhjetor. Ai po ashtu theksoi se ndyshimet në buxhet nuk i shërbejnë menaxhimit të financave publike.
Pjesë nga intervista:
Dje qeveria rishikoi buxhetin e 2021 me akt normative. Në pamje të parë, duket si një lëvizje për të akomiduar buxhetin për zgjedhjet. A kishte nevojë për një rishikim të buxhetit? Duhej bërë tani?
Tomorri: Në fakt qeveria e dinte që në dhjetor që këtë vit ne do të kishim zgjedhje dhe fondi për këtë mund të ishte parë që në dhjetor. Kanë harruar apo kanë bërë llogari të tjera nuk di të them. Por kjo nuk i shërben menaxhimit të financave publike. Nuk mund të them që qeveria nuk mund të parashikonte që duheshin ca para për fushatën. Ishte një fakt që dihej që kur u miratua buxheti por qeveria duket se ka qef të arnojë buxhetin sa herë të dojë.
Sipas aktit, zëri prej nga ku qeveria do të nxjerrë fondin per zgjedhjet do vijë përmes rritjes së të ardhurave tatimore, ku qeveria pretendon te rrisë me 3.4 miliardë lekë të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. A është realisht e mundur kjo, bazuar ne ecurinë aktuale të ekonomisë?
Tomorri: Amendimi i fundit tregon që buxheti nuk hartohet mbi baza të ndryshuara. Një herë e ndryshoi komisioni i ekonomisë, pas ketij ndryshimi u rrit sërish plani me 500 milionë lekë që u propozua nga Klotilda Bushka që nuk ka asnjë lidhje me këtë. Kjo është hera e tretë që plan ii TVSH-së rritet. Tashmë plani i TVSH-së është rritur me rreth 80 milionë euro. Nëse kjo punë qenka kaq e lehtë mund të bëhej një buxhet ku thonim do mbledhim 10 milionë euro të ardhura dhe bënim shpenzime ku të na donte qejfi. Ky është menaxhim i financave siç nuk duhet të jetë. Të gjithë ndërhyjnë tek plani i të ardhurave dhe është e turpshme dhe duhet të marrë fund. Ne përfundojmë me buxhete të deformuara që nuk realizohen. Sa herë qeveritë shkurtojnë shpenzimet të parat që goditen janë investimet publike.
Ndalemi pak edhe tek aeroportet e Kukesit dhe Vlores. Kryeministri ka palajmeruar se do shpallen brenda pak ditesh fituesit, ndërsa zyrtarë të tjerë të qeverisë kanë deklaruar se për aeroportin e Vlorës kanë marrë dy oferta. A ke informacion, për cilat kompani bëhet fjale? A nuk duket se nisja e punës për këto aeroporte po zvarriten deri në afrimin e datës së zgjedhjeve?
Tomorri: E para një nga kompanitë që ka ofertuar për Aeroportin e Vlorës është ajo e Behgjet Pacollit dhe për të dytën nuk është dhënë asnjë informacion zyrtar. Tenderi i Aeroportit të Vlorës është zvarritur sepse nuk ka pasur ndonjë interes. Këtë herë qeveria thotë që kemi dy oferta dhe mendon se mund ta përfundojë. Unë e shoh me skepticizëm sepse nuk ka kompani të mëdha që mund të menaxhojnë investime kaq të mëdha. Për sa i përket përshpejtimit të procedurave për Aeroportin e Kuksit nuk mendoj se qeveria po përpiqet ta përfundojë para zgjedhjeve dhe unë mbetem skeptik.
Tomorri, besoj e keni ndjekur programin e PD. Angazhohet për rritje të pagave për mesues, pedagoge, rritje të pensioneve me së paku 5% ne vit. Ju duket ambicioz apo i realizueshem programi i PD? Ministri Ahmetaj tha dje, se me keto parashikime, qeveria do falimentonte ne dy vjet.
Tomorri: Lojrat politike të fushatës elektorale janë pjesë e kësaj loje. Por mendoj se politika e pagave duhet të dalë nga kjo situatë ku është futur. Pagat në sektorin public në këto vite thuajse kanë ngrirë, nuk kanë ndryshuar, ka pasur rritje të sektorëve të caktuar por jo për të gjithë. Ndërkohë inflacioni rritet dhe fuqia blerëse e punonjësve të sektorit shtetërorë ka rënë. Llogaritë nëse do të mjaftojnë këto para mbetet për tu parë. Çdo qeveri ka të drejtë të bëjë programet e saj. Shqipëria ka nisur një luftë kush përjashton më shumë taksa. Ka nisur një garë që është çmenduri dhe e rrezikshme për buxhetin. Nuk është aq e lehtë të ulësh taksa sepse paratë nga diku duhet të vijnë.
Një pikë e përbashkët në planet e PD dhe PS është autonomia e spitaleve. A e shihni me vend këtë propozim? A do ishte një mekanizem real për të luftuar korrupsionin?
Tomorri: Në fakt Shqipëria ka provuar gjatë 30 viteve të fundit të gjitha sistemet. Ai që mbetet problem kryesor është nënfinancimi në sektorin shëndetësor dhe arsimor. Gjithë ky nënfinancim jo vetëm e ka dëmtuar sektorin e shëndetësisë dhe ka rritur kostot, por ka nxitur edhe fenomenet e korrupsionit të cilët i kemi parë herë pas here edhe në mendia. Qytetarët duhet të paguajnë për çdo shërbim që duhet të marrë, ky vend duhet të ndajë mendjen dhe të zgjedhjë një sistem që të jetë funksional.



