
Prej muajsh aktorët e tregut raportojnë frenim të kërkesës për apartamente të reja. Tendenca u shfaq që nga vera e vitit të shkuar për t’u përmirësuar disi në fund të tij, ndërkohë që raportohet e zbehtë edhe këtë fillim vit.
Lidhur me këtë në ‘MCN Economy’, eksperti Elvin Meka u shpreh se tregu do të vijojë të ndjekë rrugën e tij natyrale që ka ndjekur këto 2-3 vitet fundit.
Ai tha se nuk plotësohen kushtet për rrezikun e një flluske dhe sipas tij ka një kërkesë të shtuar për ndërtimin e pasurive të paluajtshme.
Duhet të flasim për zhvillim tregu dhe nëse do kishim rënie evidente të transaksioneve të shitblerjes sigurisht mund të kemi njëlloj korrektimi të shifrave, ndërkohë që pjesa tjetër e vitit do vazhdojë të ndjekë atë rrugën natyrale që ka ndjekur të paktën vitet e fundit.
Kemi folur dhe herë të tjera që të paralajmërosh apo tundësh kambanat e alarmit në sektorin e ndërtimit jo se skanë lidhje me njëra-tjetrën , janë të paktën nja 10 elementë në totalin e tyre në kuadrin e përgjithshëm të cilat duhet të bëjnë të dukshme këtë pragun e shpërthimit të flluskës.
Nuk jemi në këtë fazë. Shqipëria vetëm ka zgjerim të tregut të pasurive të paluajtshme dhe ajo po e rikuperon atë treg të munguar pavarësisht modelit se si zhvillohet dhe ndërtohet në Shqipëri dhe zhvillimi i shpejtë i kërkesës për turizëm apo akomodimi afatshkurtër, që po shfrytëzohet si mundësi dhe nga jorezidentët apo investitorët e huaj.
Deri sot jemi në faktin se kemi rritje të kërkesës për ndërtime për pasuri të paluajtshme që se bëjnë shumë realiste pamjen e një flluske apo shpërthimit në tregun e të pasurive të paluajtshme.
Më tej ai shtoi se zhvlerësimi i euros amortizon dhe rritjen në dukje të çmimeve dhe se më të fituar mbeten ata qytetarë apo investitorë që kanë blerë në lekë.
Një nga faktorët që zhbëjnë rritjen e pasurive të paluajtshme ka qenë dhe zhvlerësimi i euros. Dhe në 2024 marrë si referencë nëse ka njëlloj stabiliteti muajin e fundit, por deri në 2024 euro filloi të zhvlerësohej me lekun dhe nëse e mbledhim rënien e vazhdueshme të euros dhe duke e kompensuar rritjen në nivel nominal, patjetër që ky elementë apo komponent ndikon në çmimin final të apartamenteve.
Sigurisht që ka ndikuar dhe më të fituar mbeten ata qytetarë apo investitorë që kanë blerë në lekë.
I pyetur se DASH thotë se tregu shqiptar i ndërtimit shfrytëzohet për pastrimin e parave, Meka tha se kjo nuk është vetëm fenomen shqiptar.
Do gënjenim nëse do ndodhte e kundërta. Çdokush do gënjente nëse do thoshin se ky treg është i pastër nga pastrimi i parasë. E kemi thënë se Shqipëria nuk është imune dhe nuk po bënë ndryshe nga tregjet e tjera.
Shqipëria nuk është e vetme në botë, por është më e dukshme se pjesa e parave të dyshimta që duhen pastruar në Shqipëri ka vetëm këtë kanal, ndërsa në botë ka dhe fusha të tjera.
Është një treg që në periudha të caktuara zhvillohet nga një rritje e shpejtë e vlerës dhe personat që duan të pastrojnë paratë e shohin si një alternativë të mirë, prandaj duhen masa drastike nga qeveria për frenimin e pastrimit të parave. Me rëndësi mbetet verifikimi i apartamenteve bosh në Tiranë.



