Arrestimet, Nushi: Ka shkelje me afatet kohore të heqjes së lirisë. Për tubimet njoftohet policia, nuk merret leje

Arrestimet, Nushi: Ka shkelje me afatet kohore të heqjes së lirisë. Për tubimet njoftohet policia, nuk merret leje

Ndihmës komisioneri pranë Avokatit të Popullit, Sotiraq Nushi, komenton shqyrtimin e ankesës së një qytetari nga Durrësi, i cili pretendonte se është arrestuar padrejtësisht dhe se nuk janë respektuar afatet dhe thotë se një pjesë e akuzave rezultuan pjesërisht të drejta.

Në një lidhje për studion e lajmeve të MCN TV, Nushi informoi se qytetari u drejtua me ankesë ku pretendonte se ishte arrestuar padrejtësisht dhe nuk ishin respektuar afatet e arrestimit dhe dërgimit të çështjes për të gjykuar.

Nga hetimi konstatuam disa shkelje të bëra nga policia që lidheshin me afatin ku në procesverbalin e arrestimit në flagrancë, duhej shënuar ora dhe çasti se kur i ishte hequr praktikisht liria.

Se më tej vazhdon procedura e pyetjes, grumbullohen prova, por nuk tregohen të vëmendshëm lidhur me shënimin e çastit se kur i hiqet liria një personi.

Nga momenti kur ishte arrestuar në flagrancë, shënimi në procesverbal vononte 5 orë e gjysmë. Shënimi real i momentit të arrestimit është i rëndësishëm, se që nga ky çast fillojnë efektet e paraburgimit.

Të kalojnë disa orë nuk është shaka. Për një njeri të izoluar që i është hequr liria, një minutë nuk është shaka, jo më t’i hiqen disa orë.

Moment tjetër është se nga çasti i arrestimit të një personi fillon afati nga kur prokurori brenda 48 orësh duhet të çojë dokumentet në gjykatë dhe më tej pas 48 orësh, gjykata duhet të caktojë masën e sigurisë.

U konstatua dhe një shkelje tjetër që punonjësit e policisë e kishin çuar dokumentin me vonesë. Në këtë rast kishin kaluar dy ditë.

Janë shumë të rëndësishme zbatimi me korrektesë i dispozitave të Kodit të Procedurës Penale. Duhet vendosur ora kur realisht i është privuar nga liria.

Në praktikë ndodh që nuk shënohet ora kur është ndaluar në vendngjarje, por shënohet ora e procesverbalit që mund të jetë në fund të afatit maksimal që mund të jetë 10 orë.

Kemi kërkuar që të ndryshojë kjo praktikë, se cenohen si interesat e individit dhe të shtetit. Struktura të Drejtorisë së Përgjithshme, herë pas here duhet të shohin afatet dhe të bëjnë llogaritjet.

Sipas tij, shkelja e afateve është një problem i rrahur dhe vite më parë dhe se në diskutimet që janë bërë me drejtuesit e policisë janë mirëkuptuar.

Nushi deklaroi se për sa kohë dyshon dhe arrestimi bëhet mbi bazën e provave, duhet shënuar koha e duhur e ndalimit.

Ai nënvizoi si rëndësi se nuk janë të mjaftueshme disa leksione tek Akademia e Policisë, por duhet sjellë në vëmendje respektimi i të drejtave të qytetarëve.

Sipas ligjit për Avokatin e Popullit, institucioni kryen inspektime në vende ku ka persona që u është hequr liria, në mënyrë periodike, por edhe sipas rasteve urgjente.

Vazhdimisht ka problematika lidhur me kushtet në ambientet e policisë ku mbahen persona të ndaluar deri sa dalin në gjykatë dhe vendet e paraburgimit.

Kushtet lidhen me infrastrukturën, riedukimin, janë problematika të tilla që duhet investim i vazhdueshëm i shtetit. Duhet angazhuar strukturat kryesore që nga Këshilli i Ministrave dhe ministritë përkatëse.

Ata persona kanë shkuar atje për të kryer një dënim, por nuk ka asnjë arsye pse të jenë në kushte të papërshtatshme, se duhet të kthehen në shoqëri të rehabilituar.

Në parim pranohen të gjitha rekomandimet tona, por del si justifikim mungesa e fondeve dhe kompetencave.

Duhet më shumë përqendrim nga strukturat qendrore se fondet i menaxhojnë ata.

Lidhur me protestën e 11 shkurtit, Nushi tha se çështja e tubimeve ëstë problematikë e ndjekur në vijimësi dhe jo shumë kohë më parë kishte kërkesë mbi lejen për tubim në polici.

Me ndryshimin e ligjit u pa nevoja por që të mos ishte kërkesë pasi mund të miratohej ose jo, por njoftim. Kjo nuk do të thotë se organizatori nuk duhet të njoftojë policinë.

Së pari për të siguruar mbarëvajtjen e protestuesve, mos të ketë konfrontime. Mund të ketë dhe problematika që struktura të tjera mund të kenë organizuar aktivitet tjetër.

Është i nevojshëm njoftimi i policisë por jo marrja e lejes. Nuk kemi konstatim për shkelje të të drejtave të njeriut në protestat e fundit, apo përdorimin e gazit lotsjellës.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy