Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta la bllokun e sigurisë së burgut “302” në Tiranë mëngjesin e sotëm, për tu paraqitur para Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për komunikimin e masës së sigurisë. Seanca për Metën u shty për në orën 13.30 pasi avokatët kërkuan kohë që të njihen me aktet. Sakaq seanca u shoqërua me tensione dhe ofendime nga ana e Metës për kreun e SPAK, Altin Dumani duke e etiketuar si "Dumduman, qen. Mbaje mend, vath në vesh etj". Në videon më poshtë shihet Monika Kryemadhi duke hyrë në sallën e seancave, ndërsa Meta ndodhet në kafazin e qelqtë të të pandehurve.
I pari që mbërriti në GJKKO ishte Pirro Xhixho i cili ndodhet në "arrest shtëpie" dhe më pas i shoqëruar me furgon policie, mbërriti dhe Meta.
Në gjykatë më tej u paraqit dhe deputetja Monika Kryemadhi si dhe e pandehura tjetër Ema Çoku, të dyja nën masë sigurie “detyrim paraqitje”. Kryemadhi është lënë në masë më të butë sigurie për arsye shëndetësore, për shkak të një ndërhyrjeje kirurgjikale që i është nënshtruar, ndonëse akuzat janë të njëjta me të Ilir Metës.
Ilir Meta u arrestua më 21 tetor për dosjen e skandalit të lobimit të Partisë së Lirisë në SHBA, asokohe LSI, dhe CEZ-DIA.
Të dyja dosjet janë bashkuar në një, ndërkohë që familjes Meta po i hetohet edhe pasuria.
Meta akuzohet për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarimi, fshehja dhe deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”.
Kryemadhi akuzohet për “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, Refuzim për deklarim, mosdeklarimi, fshehja dhe deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”.
Ema Çoku akuzohet për “Pastrim i produkteve të veprës penale e kryer në bashkëpunim” dhe Pirro Xhixho për “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”.



