Departamenti i Shtetit i SHBA-së ka ndaluar të gjithë ndihmën e huaj ekzistuese dhe ka ndërprerë ndihmat e reja, sipas një memoje të brendshme dërguar zyrtarëve dhe ambasadave amerikane jashtë vendit.
Lëvizja vjenpas urdhrit ekzekutiv të Presidentit Trump të lëshuar të hënën për një pauzë 90-ditore në ndihmën e zhvillimit të huaj, në pritje të një rishikimi të efikasitetit dhe konsistencës me politikën e tij të jashtme.
Shtetet e Bashkuara janë donatori më i madh ndërkombëtar i ndihmës në botë, ku vetëm gjatë vittit 2023 janë shpenzuar 68 miliardë dollar. Njoftimi i Departamentit të Shtetit duket se prek gjithçka, nga ndihma për zhvillim te ndihma ushtarake.
Ai bën përjashtime vetëm për ndihmën urgjente ushqimore dhe për financimin ushtarak për Izraelin dhe Egjiptin. Përmbajtja e memos së rrjedhur është konfirmuar nga BBC.
Ai shton se zyrtarët e SHBA "do të lëshojnë menjëherë urdhra për ndalimin e punës, deri kur sekretari do të vendosë, pas një rishikimi."
Ai gjithashtu urdhëron një rishikim në shkallë të gjerë të të gjithë ndihmës së huaj që duhet të përfundojë brenda 85 ditëve për të siguruar që ndihma i përmbahet qëllimeve të politikës së jashtme të Presidentit Trump.
Sekretari i Shtetit Marco Rubio ka deklaruar më parë se të gjitha shpenzimet e SHBA-së jashtë vendit duhet të bëhen vetëm nëse e bëjnë Amerikën "më të fortë", "më të sigurt" ose "më të begatë".
Agjencia e lajmeve AFP raportoi se ngrirja e fondeve mund të prekë gjithashtu Ukrainën, e cila mori miliarda dollarë armë nën drejtimin e paraardhësit të Trump, Joe Biden. Argumenti kryesor i Rubios për ngrirjen e ndihmës, është fakti se është e pamundur për administratën e re të vlerësonte në një kohë kaq të shpejtë nëse angazhimet ekzistuese të ndihmës së huaj "nuk janë të dyfishta, janë efektive dhe janë në përputhje me politikën e jashtme të Presidentit Trump".



