Eurodeputeti Fredi Beleri, në një intervistë për MCN TV, u shpreh kundër ligjit të ri për barazinë gjinore, duke e cilësuar si një hap të gabuar, pavarësisht se i afrohet standardeve të BE-së. Ai theksoi se konceptet si “Prindi 1” dhe “Prindi 2” nuk e çojnë shoqërinë përpara dhe se reformat duhet të ruajnë vlerat tradicionale.
Lidhur me progresraportin e BE ndaj Shqiperisë Beleri u shpreh se aty shihet më shumë dëshira politike sesa hapa konkretë drejt anëtarësimit. Ai theksoi se vendi ka ende probleme serioze me të drejtat themelore, lirinë e shtypit dhe standardet demokratike.
Intervista e plotë:
-Zoti Beleri, gjetjet e Institutit të Vjenës ishin pesimiste dhe e shohin Shqipërinë shumë larg standardeve europiane. Por nga ana tjetër në Bruksel dhe Tiranë ka shumë optimizëm për anëtarësim brenda 2030. Duket se në këtë proces prioritet marrin më shumë elementët politikë dhe konjukturalë sesa vetë standardet?
Raporti i BE për Shqipërinë është një raport që tregon dëshirën e BE për anëtarësimin e Shqipërisë. Të gjitha çështjet kryesore progres-raporti i prek, për lirinë e shtypit, zgjedhjeve, të drejtat e minoriteteve... të gjitha këto ka shumë për të bërë Shqipëria në këto pika.
-Zoti Beleri, duke i bërë një skaner progres-raportit për Shqipërinë, ku mund të themi se janë ato fusha që janë bërë progres dhe ato ku nuk e kalojmë klasën?
Besoj se raporti flet për një dëshirë, por jo për hapa konkrete. Besoj se të gjitha të drejtat themelore janë problem.
-Sa shqetësim është për Brukselin financimi i ekonomisë shqiptare nga burime të paligjshme?
Sigurisht duhet theksuar që Brukseli është i qartë që turizmi nuk ka një euro investim të huaj. Nuk mund të bëhet progres pa ditur nga vijnë këto burime.
-Ka krijuar shumë debat një ligj i miratuar së fundmi për barazinë gjinore, madje BE reagoi ndaj komenteve që ish-kryeministri Berisha bëri ndaj ambasadorit Gonzato. Si e keni parë këtë zhvillim dhe këtë polemikë?
Fatkeqësisht ligji për barazi gjinore është një nga ato që i afrohet BE-së, por nuk mendoj se është i duhur. Prindi 1 dhe 2 nuk e çojnë shoqërinë përpara.
-Ju keni mandatin e eurodeputetit dhe njihni mirë edhe qëndrimin e Athinës zyrtare lidhur me ecurinë e Shqipërisë. Kjo periudhë, kur po negociohet për grupkapitujt, mund të ndihmojë edhe në zgjidhjen e një çështjeje të mbetur pezull mes dy vendeve, atë të kufirit detar.
Janë bërë shumë përpjekje për të gjetur një marrëveshje, hera e fundit ishte mes Bushatit dhe Skociacit. Rama në mënyrë të çuditshme hoqi Bushatin dhe negociatat mbaruan atje. Flitej se kjo ishte dëshirë e Erdoganit, mosrealizimi i marrëveshjes.
-Parlamenti shqiptar ka miratuar ngritjen e një komisioni për reformën territoriale. Si eurodeputet, por edhe si përfaqësues i minoritetit grek, keni një qëndrim lidhur me ridizenjimin e hartës territoriale?
Reforma territoriale është diçka që e ka bërë gjithë Europa dhe ka për qëllim uljen e kostos për qytetarët. Reforma e 2014 ishte e bërë në mënyrë politike dhe në shërbim të PS, pra ishte sajesë. Besoj se reforma duhet të rishikohet, por duhet t’i përmbahet të drejtës ndërkombëtare, por edhe asaj shqiptare. Është shumë e vështirë për t’u menaxhuar, unë dua të presim draftin.



