Rilexim i marrëveshjeve ekzistuese e cilëson marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë ish-këshilltari i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, David Philips. Në një intervistë për “Kohën Ditore”, drejtori i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave të Njeriut në Universitetin e Kolumbias, thotë se në Uashington u injorua çështja themelore: njohja e pavarësisë së Kosovës.
“Marrëveshja e Uashingtonit është e heshtur sa i përket njohjes reciproke, e cila qëndron në thelbin e problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshjet për targa dhe diploma janë të mira. Por ato nuk janë zëvendësim për një marrëveshje të përgjithshme, për njohjen reciproke”, ka thënë Phillips. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara do të duhej të lëshonin një “deklaratë të presidentit”, duke afirmuar politikën e saj karshi Kosovës dhe duke u bërë thirrje shteteve të tjera që ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Philips thotë se administratës amerikane i intereson një marrëveshjeje për bashkëpunim ekonomik rajonal, në mënyrë që Trumpi të pretendojë një sukses në politikën e jashtme përpara zgjedhjeve të SHBA-së, të cilat mbahen në nëntor.
Ai thotë se Serbia është ajo që duhet të bëjë kompromise.
“Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, të vendosë marrëdhënie diplomatike dhe t’u bëjë thirrje vendeve të tjera t’i normalizojnë marrëdhëniet me Kosovën. Ajo duhet të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe të mirëpresë flamurin e Kosovës që valëvitet jashtë selisë së Kombeve të Bashkuara”, ka theksuar ai.



