Duke marrë shkas nga diskutimi për nivelin e maturantëve që u testuan në përfundim të këtij viti pedagogia dhe njëherësh ish-drejtoresha e shërbimit Kombëtar të Rinisë, Irsa Ruçi tha se “matura shtetërore ka qenë një dështim që në krye të herës” dhe se nuk tregon nivelin real të vlerësimit. Përmes një interviste për MCN TV, Ruçi tha se kemi nevojë jo për një reformë në arsim, por për revolucion që të mund ta rikrijojmë nga e para. Ruçi sugjeroi se duhet bërë një edukim për karrierën në mënyrë që të mos ketë dyndje të studentëve në 2-3 degë.
Intervista:
Zonja Ruçi, si testi i gjuhës, ashtu edhe i matematikës, treguan se pati më shumë mbetës së vitet e kaluara, dhe po ashtu më pak nxënës me dhjetë absolute. Si e komentoni ju këtë?
Ruçi: Kam nisur që vjet një debat publik lidhur jo vetëm me nivelin e maturës shtetërore duke parë nivelin me të cilin studentët vijën në auditore dhe si ky nivel bie vit pas viti. Për mua matura shtetërore ka qenë një dështim që në krye të herës, një mënyrë se si ne të bllokojmë të rinjtë pa treguar nivelin real të vlerësimit. Disa pyetje të historisë nuk tregojnë se sa jurist i mirë do të dalësh nesër, por të shërbejnë si filter ku mos kalojnë të gjithë. Tani ka ardhur momenti kur s’mban më ujë pilafi dhe kanë nisur protestat. Kam përshtypjen që kjo protesta do vijojë nga viti në vit për mënyrën se si kryhet vlerësimi për ta. Këmbëngul shumë fort që duhet të shkojmë drejt hapjes graduale të universiteteve. Ne kemi nevojë jo për një reformë në arsim, por për revolucion, arsimi duhet rikrijuar. Nuk jemi në kushtet kur nuk mund të rregullohet. Matura përmbyll një cikël 12 vjeçar, por ai provim nuk tregon nivelin që do të kesh nesër si jurist. Le të ketë filtra të tjerë për të vendosur se sa i mirë do të jesh ti si profesionist. Mendoj se duhet shtyrë provimi i maturës, le të bëhet më vonë. Ne duhet të thyejmë disa mentalitete para se hapim universitetet. Duhet bërë një edukim për karrierën në mënyrë që të mos ketë dyndje në 2-3 degë. Kjo duhet parë në terren dhe në mënyrë të studiuar. Ne po i japim vlerë kartonit dhe po ia heqim dijes.
Universiteti i Mjekësisë këtë vit ka hedhur propozimin e rikthimit të konkurseve për studentët që do të pranojë. Çfarë efekti do të ketë implementimi i këtij propozimi?
Ruçi: Jam e keqardhur që të rinjtë shkojnë në universitet dhe jo të krijohen burgje për të rinjtë. Çfarë i frikëson që ka dyndje në mjekësi. Le të ketë një dyndje në mjekësi dhe të behet filtrimi gjatë rrugës. Nuk është e thënë që të hyjnë 5 mijë veta dhe të gjithë duhet të diplomohen. Ne duhet të kemi kritere gjatë rrugës dhe jo të gjejmë marifete për ti bllokuar në hyrje. Europa nuk të penalizon për universitetin që do të zgjedhësh.



