Gazetari Arsen Rusta zbuloi sot për MCN Live detaje nga seanca maratonë e mbajtur dje në GJKKO, ku u lanë në fuqi masat e sigurisë për të akuzuarit për aferën e inceneratorëve. Rusta tha se prokurori Dritan Prençi ka konfirmuar për MCN Live se hetimet për inceneratorin e Tiranës nuk kanë përfunduar, pasi vijon ende të ketë një fraksion të hapur, dhe priten prova të reja.
Lidhur me deklarimet e Bllakos, Rusta raporton se ish-deputeti dha një tjetër version sa i përket aferës korruptive të inceneratorëve.
Dje për afro 4 orë GJKKO pati një seancë maratonë. Vetëm një person vazhdon të jetë ende nën kërkim. Ndërsa në masat e dhëna një ditë më parë, 13 masa mbeten në fuqi duke mos ndryshuar arrestin me burg në fuqi për Lefter Kokën dhe Alqi Bllakon, Namik Simixhiun dhe Taulant Tushën, të konsideruar personat kryesor. Një ditë më parë në seancën gjyqësore të zhvilluar pa praninë e medias, Alqi Bllako dha një tjetër version për sa i përket aferës korruptive të inceneratorëve. Ai u shpreh se për linjën e montimit të tapave të birrës në fabrikën e vëllait të tij ‘nuk e kam blerë duke marrë para nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, por me të ardhurat që ne kishim si familje, e kemi blerë atë në Slloveni, e pikërisht për këtë blerje unë disponoj fatura tatimore’. Gjithsesi ky version i tij nuk u mor parasysh nga gjykata. La në fuqi “arrestin me burg”. Alqi Bllako ishte përgatitur që ditët e fundit të dhjetorit të kthehej në banesë, për të festuar festat e fundvitit, por masa e sigurisë për inceneratorin e Tiranës e la atë në qeli, duke e bërë të pamundur lirimin.
Nga ana tjetër nuk është zbardhur ende qëndrimi i Taulant Tushës dhe Namik Simixhiut. Ndërsa Lefter Koka është shprehur se ai ndodhet në burg për shkak të Partisë së Lirisë dhe akuzave të padrejta që janë bërë ndaj tij. Ndërsa Prokuroria thotë se Lefter Koka si autoritet kontraktor ka shkelur ligjin, duke bërë një koncesion edhe pse nuk ishin kushtet, dhe kompania e Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos kishte kryer një mashtrim me pasoja të rënda.
MCN Live është interesuar në Prokurorinë e Posaçme, pranë prokurorit Dritan Prençi, se a është përfunduar ky hetim, përgjigjja është: “Jo. Inceneratori i Tiranës vazhdon të ketë një fraksion të hapur dhe po ndiqen hetimet intensivisht. Është një masë sigurie provizore, prova të reja pritet të ketë në këtë fashikull hetimor që po ndiqet nga Prokuroria e Posaçme.
I pyetur a do të ketë hetim për procedurën, Rusta thotë:
Prokuroria aktualisht ka bërë hetimin në themel të saj, por jo të kompletuar deri në finale. Miratimi në qeveri dhe Parlament i kontratës është ende një pjesë e paezauruar nga Prokuroria e Posaçme. Pjesë e hetimit deri në këto momente nuk është Velaij, por administrata dhe vartësit e tij”.



