
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi të enjten se ka sekuestruar pasuri me vlerë rreth 4 milionë euro në Verona të Italisë, të cilat dyshohet se janë të lidhura me aktivitetin kriminal të vëllezërve Çela, në bashkëpunim me grupe të strukturuara kriminale.
Gazetarja Klodiana Lala, në një lidhje për emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, deklaroi se ka marrë një telefonatë të tensionuar nga babai i vëllezërve Çela, Petrit Çela, i cili ka mohuar akuzat dhe ka këmbëngulur se pasuria e familjes është e ligjshme.
Pas publikimit të këtij lajmi, kam marrë telefonatë nga babai i Suel Çelës, zoti Petrit Çela një telefonatë disi e tensionuar. Ai ka pretenduar se ka disa vendime të autoriteteve italiane që flasin për të kundërtën e asaj që pretendon SPAK dhe pretendon se ësht biznesmen dhe ka paguar miliona taksa. Pretendon se djemtë e tij nuk janë përfahirë në këtë aktivitet.
Biseda ishte e tensionuar, zoti Çela akuzon median se e ka përndjekur familjen e tij. Ka akuza të forta në adresë të SPAK. Përballja e zotit Çela është me drejtësinë dhe jo me gazetarët. Kemi një pretendim të SPAK dhe atë të zotit Çela. Zoti Çela, edhe pse është folur për emrin e tij, janë dyshuar djemtë, nuk ka reaguar. Kjo është hera e parë që ai ka reaguar. Është çështje me mjaft interes. Nuk bëhet fjalë vetëm për SPAK por edhe antimafian e Veronës dhe gjykatën e Veronës. Sipas njofitmit zyrtar, bëhet fjalë për një hetim të kryer nga ata dhe pretendohet se janë identifikuar flukset e parave, që janë para që burojnë nga trafiku i drogës. Kjo është betejë që do të vijojë mes SPAK dhe palës së akuzuar, grupit kriminal Çela.
Petrit Çela është shprehur se do të vazhdojë betejën ligjore me SPAK dhe se shumë shpejt do të publikojë dokumentacionin që, sipas tij, provon ligjshmërinë e pasurisë së sekuestruar.



