Publicisti dhe kandidati i PD-së për deputet në qarkun e Lezhës, Preç Zogaj, komenton renditjen e tij në listën e PD-së. I pesti në listën e bërë publike nga Basha në orët e para të mëngjesit të së shtunës, Zogaj thotë se lista ka një lapsus.
“Më kanë thënë se ishte një lapsus. Një çrregullim numrash nga rirenditja për shkak të marrëveshjeve me aleatët”, është shprehur ai në një intervistë për “Panoramën”.
Ai shprehet se pavarësisht kësaj, ai nuk do ta ndryshonte qëndrimin e tij ndaj Lulzim Bashës, veçse nëse ai tërhiqej nga projekti politik që ka nisur. Zogaj thotë se me profiling e tij do të ndikojë në maksimalizimin e votës për PD, për shkak të marrëdhënies së tij me elektoratin gri.
“Të parët ma thanë bashkëpunëtorët e Bashës, me të cilët është konsultuar, me sa kuptova, për listën e Lezhës. I katërti, i pesti, i pesti, i katërti… Janë numra beteje për të luftuar në grup, nuk janë numra peshqeshi. Mua kjo më pëlqen. Sukseset e mia në politikë janë të lidhura me sistemin maxhoritar. Me listat nuk kam pasur fat asnjëherë. Dhe le ta kuptojnë tani edhe shumë lexues, ndjekës, dashamirës apo edhe kritikë të mi, që më kanë komentuar shpesh këto vite: unë përpiqem të zhvilloj qëndrime, kauza dhe aspak t’u bëj fresk e t’u futen në gji shefave për interesa të vogla. Njerëzve të Bashës u kam thënë një gjë: nëse më doni në listë, mendoni për maksimalizimin e votës përmes meje, duke shfrytëzuar faktin se unë kam një marrëdhënie pozitive me zgjedhësit e lëkundur të zonës gri. Në maxhoritar këta zgjedhës më kanë votuar gjithnjë duke e ditur se vota e tyre shkon për mua. Në sistemin e sotëm, besoj se do t’i motivoja duke luftuar për një numër beteje të mundshëm për t’u fituar”, thotë Zogaj.



