Presidenti Ilir Meta doli para mediave për të dhënë detaje për një tjetër shkelje të Kushtetutës, të kryer sipas tij nga qeveria dhe maxhoranca. Në konferencën e radhës, një ditë para protestës së paralajmëruar prej tij, Meta u ndal te tatimi mbi dividendin, ndryshimi i të cilit u miratua në fund të vitit 2018.
Duke iu referuar maxhorancës si “sekti që po përdhunon Kushtetutën”, Meta tha se ndryshimi i normës së dividendit është bërë qëllimisht për të favorizuar oligarkët pranë qeverisë.
“Ligji për dividendin është rasti më flagrant sesi Parlamenti dhe maxhoranca kanë dhunuar hapur Kushtetutën e Shqipërisë. Do të japin llogari, nuk do të ketë shpëtim për ta. Ligji përcakton se qytetarët janë të barabartë para tij, por në nenin 155 të Kushtetutës bëhet e qartë se taksat, lehtësimi ose përjashtimi prej tyre caktohen me ligj. Në këto raste, ligjit nuk mund t’i jepet fuqi prapavepruese. Është e qartë se çdo lehtësim fiskal nuk mund të ketë efekt prapaveprues”, tha ai.
Meta i referohet ndryshimeve ligjore të miratuara nga Parlamenti më datën 3 tetor 2018, që parashikonin uljen e tatimit mbi dividendin nga 15% në 8%. Në atë kohë, presidenti e ktheu për rishqyrtim në Parlament këtë ligj, me argumentin se ishte i pastudiuar dhe linte hapësirë për abuzim.
Pavarësisht mosdekretimit, maxhoranca i miratoi ndryshimet ligjore që tashmë janë në zbatim. Meta thotë se ky ligj shkel nenin 155 të Kushtetutës. Por përveç kësaj, kreu i shtetit thotë se maxhoranca shkeli sërish ligjin kur e rrëzoi me urgjencë dekretin e presidentit pa e thirrur si palë për të dëgjuar argumentet.
“Rilindja miratoi ligjin në dëm të sipërmarrësve të ndershëm dhe biznesve familjare. Në neni 9 parashikoi një dispozitë të fshehur që jepte mundësi të çliroheshin nga detyrimi për dividendin një kategori e caktuar. Nga 15 % në 8 % me efekt prapaveprues. Ky parashikim dhunon nenin 155 të lehtësirave fiskale me efekt prapaveprues. Kjo është një goditje e rëndë dhe pas shpine për mijëra biznese që kanë paguar tatimit 15%, ndërkohë që favorizohen oligarkët. Ky krim kushtetues përmbys sistemin fiskal.Me dekretin e 20 dhjetorit 2018 vendosa kthimin e ligjit. Në të njëjtën ditë Kuvendi zhvilloi seancë në mbrëmje ku Komisioni i Ekonomisë shyqrtoi pa thirrur presidentin dhe pa opozitën dhe në të njëjtën ditë e rrëzuan. Mavri Kuvendi dhunoi Kushtetutën”, tha ai.
Meta paralajmëroi një kallëzim penal në SPAK lidhur me këtë shkelje, ndërsa ftoi sërish qytetarët dhe biznesmenët e ndershëm t’i bashkohen protesës që ka paralajmëruar për pasditen e së hënës.



