
Në Itali, mimozat janë simboli i Ditës së Gruas. Por për zëvendëskryeministrin Matteo Salvini, një tufë të tilla nuk mjaftojnë.
“Ministrat nuk mund të kufizohen te mimozat, buzëqeshjet apo çokollatat. Mendoj se më e nevojshme është të prezantohen dy ligjet që shumë shpejt do të bëhen realitet. Ato do të votohen gjatë pranverës dhe do t’u kursejnë vuajtjet mijëra grave që janë në mëshirë të kriminelëve dhe ligjeve të paefektshme”, ka thënë ai gjatë një konference shtypi në Senat, krah ministres Giulia Bongiorno.
“Nuk hyj në debatin se si e festojnë të tjerët 8 Marsin. Por për mua është krenari të prezantoj diçka që do të na hyjë në punë edhe më 9 Mars, në pushimet e verës, në Krishtlindje dhe Vit të Ri, për të shmangur vdekje, vuajtje dhe dhunë të papranueshme ndaj grave”, tha ai.
Njëra prej masave ligjore që pritet të propozohet ka të bëjnë me “kodin e kuq”, ose ndryshe detyrimin e gjykatës për të marrë në shqyrtim rastet e denoncuara nga gratë jo më vonë se 72 orë pas denoncimit. Ndërsa tjetra parashikon heqjen e mundësisë për të përfituar gjykim të shkurtuar apo zbritje dënimi për të gjithë meshkujt që akuzohen për krime të rënda ndaj grave.
“Ideja e Kodit të Kuq ka lindur nga një histori e jetuar. Ne kemi themeluar shoqatën “Doppia Difesa”, e cila i ka nxitur gratë të denoncojnë. Ato denonconin, por na thonin se denoncimet e tyre mbeteshin në sirtarë. Por kjo bënte që agresori të egërsohej dhe denoncimi kthehej në boomerang. Është tradhti nga ana e shtetit t’i thuhet një gruaje “ki besim te unë”, por të mos e ndihmosh në momentin që denoncon”, tha ministrja e administratës publike, Giulia Bongiorno.



