Tenderi për të cilën u mor peng Gerond Meçe do duhet të shqyrtohet gjyqësisht dhe gjykata përpara vendimit duhet të dëgjojë palët. Është ky konkluzioni i Gjykatës së Lartë në vendimin që zbardh “FactCheck” në MCN TV.
Pas hetime të SPAK dhe Aferës AKSHI, Gjykata e Lartë rikthen në apel tenderin për të cilën u rrëmbye biznesmeni Gerond Meçe.
Nga ofertat, tek betejat juridike e deri tek shantazhet apo pengmarrjet. Panorama e tenderave në teknologjinë e informacionit mbeten sa të errëta aq edhe juridikisht me probleme.
Një vendim i Gjykatës së Lartë nxjerr në pah se edhe drejtësia ka gabuar me vendimmarrjet e saj.
Bëhet fjalë për tenderin “Procedurë e hapur mbi kufirin e lartë monetar”, me Nr. REF-51102-06-13-2025, me objekt “Sistem Enterprise Service Bus (ESB)”, me fond limit 337.800.000 (treqind e tridhjetë e shtatë milion e tetëqind mijë) lekë pa TVSH, parashikuar për t’u zhvilluar më datë 15.09.2025 nga autoriteti kontraktor, Këshilli i Lartë Gjyqësor. Tender i cili çoi në rrëmbimin e biznesmenit Geron Meçe.
Meçe rezulton se është biznesmeni i marrë peng në aferën AKSHI çka solli një valë arrestimesh, hetimesh e sekuestro masive.
Pasi Meçe humbi tenderin me KLGJ u ankua në KPP por KPP një ditë përpara vitit të ri më 30 dhjetor 2025 la në fuqi vendimin e KVO që shpallte fitues kompanitë e lidhura me biznesmenin Beqiri.
KPP është Komisioneri i Prokurimit Publik (kuazi) gjykata e tenderave. Pas kësaj bashkimi i operatorëve drejtuar nga Meçe trokiti në gjykatën e lartë. Aty ku pak ditë më parë nën drejtimin e relatorit Sokol Ngreci ai ka fituar të drejtën ti rigjykohet ankesa në gjykatën administrative të apelit.
Ky është ankimi i depozituar nga Meçe në formën e rekursit në gjykatën e lartë “Titulli i çështjes: BASHKIMI I OPERATOREVE EKONOMIK "DATALOG" SH.P.K, "ADVANCED BUSSINES SOLUTIONS - ABS" SH.P.K Kundër. KOMISIONI I PROKURIMIT PUBLIK
Ardhur prej: Gjykata Administrative e Apelit Tirane
Objekti i padisë/akuzës: Vendosja e Masës së Sigurimit të Padisë, duke urdhëruar pezullimin e efekteve juridike të Vendimit nr. 1937/2025, datë 30.12.2025 të KPP, si dhe ndalimin e lidhjes dhe ekzekutimit të kontratës që buron nga procedura e prokurimit me objekt "Sistem Enterprise Service Bus (ESB)" REF REF-51102-06-13-2025, deri në dhënien e një vendimi të formës se prerë të çështjes së themelit.
Statusi i çështjes: Mbyllur
Emisioni “FactCheck” ka mësuar se gjykata e lartë ka vendosur “Prishjen e vendimit të gjykatës së apelit administrative dhe rigjykim po në të njëjtën gjykatë me të njëjtën trupë gjykuese”.



