Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e cilëson akt të njëanshëm të Partisë Socialiste në Kuvend, votimin për heqjen e imunitetit të ish-Kryeministrit Sali Berisha dhe dhënien e autorizimit për arrestimin e tij.
Është një vendim antikushtetues që kërkon të kthejë Shqipërinë në kohën e partisë-shtet, si pjesë e një programi për eliminimin e opozitës reale dhe instalimin e një opozite fasadë që i bën fresk dhe shërbime këtij regjimi.
Vetëm pak ditë më parë u ndryshua në mënyrë të njëanshme rregullorja e Kuvendit, ku deputetët mund të përjashtohen deri në dy muaj.
Një tjetër akt antikushtetues që synon asgjësimin e opozitarizmit në vend dhe që shkel në mënyrë flagrante një sërë të drejtash që i garanton Kushtetuta dhe ligji dhe e pezullon deputetin nga detyra.
Në një komunikim për mediat ditën e sotme, Meta shtoi se po vijojnë përpjekjet për asgjësimin e pluralizmit.
I pyetur nëse i druhet të njëjtit fat si ish-Kryeministri, duke qenë se ka disa dosje ndaj tij në SPAK, kreu i Partisë së Lirisë deklaroi se edhe vetë zoti Berisha ka qenë i hapur të bashkëpunojë me drejtësinë.
Ai ka kontestuar rrugën që është ndjekur në mbrojtje të parimeve kushtetuese dhe garancive që Kushtetuta i jep deputetit.
Janë aplikuar standarde të dyfishta në rastin e zotit Berisha, që nuk është një deputet i zakonshëm, pasi është lideri i forcës kryesore opozitare, apo ish-deputetëve të mazhorancës.
Për sa më takon mua, nuk kam pasur dhe nuk kam asnjë shqetësim të tillë.
Sa i takon mitit të të paprekshmëve, mendoj se kjo është një përrallë.
Patjetër që është një zyrtar i lartë dhe shumë i lartë, por nuk është një Kryeministër në detyrë.
Për mungesën e Partisë së Lirisë në protestën e sotme para Parlamentit, Meta tha se kanë qenë, do të jenë sipas rastit.
Po ashtu u shpreh në përkrahje të çdo proteste, në mbrojtje të demokracisë dhe pluralizmit politik dhe se kërkesat e opozitës janë domosdoshmëri për vendosjen e normalitetit në vend.
Ne jemi së bashku në çdo çështje që i takon pluralizmit dhe demokracisë.



