
Ministri spanjoll i të Drejtave Sociale u dërgoi të mërkurën një letër kompanive spanjolle të lidhura me Izraelin, duke i urdhëruar që të marrin masa për të garantuar që aktivitetet e tyre të mos kontribuojnë në gjenocid ose shkeljen e të drejtave të njeriut në Palestinë.
“Asnjë aktor ekonomik nuk duhet të kontribuojë në shkeljen e të drejtave të njeriut të popullatës palestineze”, tha Pablo Bustinduy në një postim në X.
Në letër, Bustinduy u kujtoi bizneseve spanjolle rezolutën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e cila urdhëronte masa për të mbrojtur popullsinë e Gazës nga gjenocidi.
Duke qenë se ai është përgjegjës për të drejtat e konsumatorëve, ministri urdhëroi kompanitë spanjolle të ndërmarrin tre hapa për të rivlerësuar operacionet e tyre dhe për të rritur transparencën rreth aktiviteteve të tyre në Izrael.
Së pari, ai tha se bizneset duhet të informojnë qeverinë për rreziqet e abuzimeve të të drejtave të njeriut me të cilat “aktivitetet apo marrëdhëniet e biznesit” të tyre mund të lidhen në Palestinë, qoftë në Gaza apo në Bregun Perëndimor.
Së dyti, ministri urdhëroi kompanitë të japin informacion në lidhje me masat që po marrin për të parandaluar çdo pasojë të dëmshme të aktivitetit të tyre ekonomik në situatën në territoret e pushtuara palestineze.
Duke vënë në dukje ligjin evropian, ai tha se kompanitë duhet të “garantojnë që konsumatorët të kenë akses në informacionin që u lejon atyre të gëzojnë mallra dhe shërbime që respektojnë plotësisht të drejtat e njeriut”.
Në përfundim, ai urdhëroi kompanitë spanjolle që të informojnë qeverinë për “mekanizmat” që kanë vendosur për të siguruar që konsumatorët të kenë njohuri të plotë për këto veprim në lidhje me aktivitetet e tyre në lidhje me të drejtat e njeriut në Izrael.
Burime nga ministritë e Jashtme dhe të Ekonomisë spanjolle i thanë të përditshmes spanjolle El Diario se nuk ishin në dijeni të letrës së ministrit.
“Pozicioni ynë është i qartë për Gazën, Palestinën dhe shtetësinë.... por është gjithashtu e qartë se qëndrimi ynë është se shteti i Izraelit dhe populli izraelit janë miq të Spanjës”, tha një burim i paidentifikuar i Ministrisë së Jashtme.
Konfliktet diplomatike midis Madridit dhe Tel Avivit ndodhën kur kryeministri Pedro Sanchez deklaroi se Izraeli po shkelte ligjin ndërkombëtar me sulmet e tij në Rripin e Gazës.



