Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në autostradën Levan–Vlorë, pranë mbikalimit të Novoselës, në drejtim të fshatit Akërni.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00, ku një automjet me targa AB009GN është përplasur me barrierat mbrojtëse anësore të rrugës.
Si pasojë e përplasjes së fortë, drejtuesi i mjetit, shtetasi Albi Hoxha, 24 vjeç, banues në Fier, ka humbur jetën në vendngjarje.
Rreth 30 metra larg pikës së aksidentit është gjetur pa shenja jete i riu. Trupi i pajetë është transportuar drejt morgut të qytetit.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e urgjencës dhe autoritetet policore, të cilat po kryejnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Po ashtu, po verifikohet nëse në automjet ndodheshin edhe persona të tjerë në momentin e ngjarjes.
Grupi hetimor vijon punën për përcaktimin e shkakut të aksidentit dhe dokumentimin e plotë të rastit.



