Nënkryetari i Dhomës Kombëtare të Noterëve Fatmir Laçej, thotë se zhvendosja e Kadastrës së Vlorës drejt Tiranës, nuk shkakton probleme për qytetarët.
Në një intervistë për edicionin e lajmeve në MCN TV, ai deklaroi se ky është një vendim i marrë nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe është diçka teknike, pa shkaktuar pasoja për qytetarët.
Qytetarët nuk do të preken nga ky problem, pasi të gjitha aplikimet bëhen online dhe përgjigja do të vijë përmes eAlbania. Nuk e shoh si problem për qytetarët vetë.
Lidhur me bashkëpunimin mes Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe Agjencisë së Zhvillimit të Territorit për ndarjen e të dhënave mbi lejet e ndërtimit, Laçej u shpreh se ka qenë një problem deri kohët e fundit dhe në zyrat noteriale ka pasur edhe ngatërresa në aspektin e lejeve të ndërtimit, e kontratave, apartamenteve të porositura, por se tashmë janë marrë masa nëpërmjet hartimit të një regjistri kombëtar.
Sipas tij, lejet e ndërtimit do regjistrohen në regjistrin kombëtar dhe do të rriten verifikimet.
Dhoma Kombëtare e Noterëve bashkë me Agjencinë e Zhvillimit të Territorit kanë marrë masa, ku të gjitha lejet e ndërtimit do regjistrohen në regjistrin kombëtar dhe çdo veprim i noterëve do kalojë më parë që do bëhet më parë te ky regjistër dhe më pas do procedohet me transaksione të ndryshme që do kryejnë qytetarëve pranë zyrave noteriale.
Mbi të gjitha do të përmirësojë shërbimin ndaj qytetarëve dhe njëkohësisht do të bëjë që noterët të rrisin përgjegjësinë. Nëpërmjet këtij verifikimi që do bëhet në Regjistrin Kombëtar të Lejeve të Ndërtimit, do të shmanget nga ndonjë pakujdesi e mundshme.
Ka pasur raste dhe nga inspektimet e bëra nga Ministria e Drejtësisë, ku në zyra noteriale ka pasur kontrata të përsëritura për shitjen e një apartamenti.
Do e vlerësoja si një pakujdesi, pasi të gjitha kontratat e porosisë regjistrohen pranë zyrave të Kadastrës. Çdo noter duhet të kalojë më parë në një verifikim dhe regjistrim që duhet bërë në zyrat e Kadastrës dhe shmang çdo porositje kontrate që ka të bëjë lidhur me rishitjen e një apartamenti.
Do e vlerësoja si pakujdesi në ato raste që është verifikuar dhe gjatë inspektimeve apo edhe ankesave që mund të kenë pasur qytetarë të ndryshëm. Për mua është përgjegjësi e plotë e çdo noteri, nuk duhet të lidhë asnjë kontratë pronësie apo sipërmarrje, ndërsa duhet të verifikojë në zyrat e Kadastrës një apartament që mund të jetë shitur më parë.
Është një shkelje për të cilat dhe Ministria e Drejtësisë ka reaguar me masat e saj. Qytetari shkon pranë zyrës noteriale, është detyra e noterit që të bëjë verifikimin në zyrat e Kadastrës, por edhe ndërtuesi nuk është pa përgjegjësi, pasi e ka në regjistrat e tij se çfarë apartamentesh janë porositur.



