83-vjeçarja Hatixhe Berisha të cilën e shikoni në fotografi, mbeti viktimë e ngjarjes tragjike të mesditës së sotme në Elbasan, ku një shpërthim i fuqishëm në katin e tretë të pallatit ku jetonte, i mori jetën.
Ndonëse ndodhej në shtëpinë e saj në katin e pestë të pallatit, dëmtimet e shumta i shkaktuan vdekjen.
MCN TV mëson se e moshuara nuk arriti dot të mbijetojë, pavarësisht tentativave të të birit për ta shpëtuar.
Ai arriti të nxjerrë me shpejtësi fëmijët e tij të vegjël nga banesa, por tentativat për të ndihmuar të ëmën rezultuan të kota, pasi gjithçka ndodhi në pak çaste.
Krahas të ndjerës një tjetër banor i pallatit 69 vjeç rezulton i zhdukur, dyshohet nën rrënoja, ndërkohë që dhjetë persona të tjerë mbetën të dëmtuar.
Konfirmohet se ekspertët nga Ministria e Mbrojtjes vendosën që të pezullojnë operacionin e kërkimin e personit që është raportuar i zhdukur, për shkak të rrezikshmërisë që paraqet ndërtesa.
Fillimisht u dyshua për shpërthimin e një bombole gazi, por hetuesit nuk përjashtojnë as mundësinë e shpërthimit me eksploziv, për shkak se pallati është bërë i pabanueshëm si dhe ka pasur spostim të kateve.
Po ashtu në banesat në afërsi të pallatit ka pasur çarje të mureve. Ndërkohë familjet e mbetura të pastreha, janë strehuar në një konvikt.
