
Shqipëria duhet të bëjë efektive ligjet për mbrojtjen e pakicave kombëtare. Në opinionin e tij të katërt mbi Shqipërinë, Komiteti Këshillues i Këshillit të Evropës mbi Konventën Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare (FCNM) i kërkon Tiranës që të bëjë operacional ligjin për mbrojtjen e pakicave kombëtare nëpërmjet miratimit të legjislacionit të mëtejshëm.
Pas shqyrtimit të progresit të bërë dhe në bazë të rekomandimeve pas vizitës së vitit të kaluar, Komiteti thekson se parimi i lirisë së vetidentifikimit duhet të respektohet rreptësisht dhe që autoritetet nuk duhet të mbështeten ekskluzivisht në të dhënat arkivore dhe në regjistrin civil për verifikimin e vetëdeklarimit të personave që u përkasin pakicave kombëtare.
“Romët dhe egjiptianët vijojnë të vuajnë nga pabarazia dhe diskriminimi, veçanërisht në nivel lokal. Përpjekje shtesë duhet të bëhen për të përmirësuar kushtet e tyre të jetesës, qasjen në punësim, arsimin dhe kujdesin shëndetësor dhe për të promovuar integrimin e tyre në shoqëri. Duhet gjithashtu të sigurohen fonde adekuate për zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit 2016-2020 për integrimin e romëve dhe egjiptianëve”, thuhet në opinionin e FCNM.
Opinioni gjithashtu thekson nevojën për t’u siguruar pakicave kombëtare më të vogla në numër akses në arsim në gjuhët e tyre dhe furnizim adekuat të teksteve shkollore.



