
Një operacion policor blic me disa arrestime u zhvillua gjatë natës të së dielës në qytetin e Elbasanit. Mësohet se është arrestuar ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu, ndaj së cilës GJKKO caktoi më parë masën “arrest në shtëpi”, pasi emri i saj doli gjatë hetimeve për operacionin e SPAK “Plumbi i Artë 2”, për lidhje me grupet kriminale.
Gjithashtu, në pranga thuhet se u vu edhe ish-kreu i Gjykatës së Elbasanit Zihni Shahu, i cili dha dorëheqjen disa muaj pasi filloi procesi i Vettingut.
MCN TV mëson se në këtë operacion është vendosur masa "detyrim paraqitje" për gazetarin Artan Hoxha, si anëtar i dyshuar i një grupi kriminal.
Gjithashtu masa "detyrim paraqitje" është vendosur edhe për gazetarin Elton Qyno, i cili dyshohet për korrupsion.
Me urdhër të SPAK, forcat e policisë kanë ushtruar kontrolle të befasishme në ‘bazat’ e Suel Çelës.
Po ashtu mësohet se janë ushtruar kontrolle në disa biznese të mëdha në Elbasan, si dhe në banesat e familjarëve të personave të implikuar në ngjarje të mëdha kriminale.



