Deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi deklaroi sot se opozita ka votuar pro dhe mbështet procesin e integrimit në Bashkimit Europian të Shqipërisë.
Në një prononcim për mediat, deputeti i PD-së, Bumçi është shprehur në lidhje me votën e tij për rekomandimet e hapjes së negociatave për Integrimin e Shqipërisë, duke pohuar se janë gënjeshtër që mund ta prodhojë vetëm Taulant Balla.
Ndërsa për qëndrimin e opozitës në lidhje me çeljen e negociatave, Bumçi theksoi se “i vetmi paragraf që kishte konsensusin e të gjithë palëve ishte: Mbështesim integrimin e Shqipërisë kur të plotësohen kushtet në fusha kryesore dhe këto të jenë të pakthyeshme; mbështesim hapjen e negociatave në atë fazë ku implementimi i reformave të jetë i besueshëm dhe hapja e negociatave do të jetë një nxitje për shtyrjen më tej të reformave”.
Pyetjes se kur mendoni se duhen çelur negociatat, deputeti i PD-së Bumçi pohon se “Unë besoj se negociatat duhen çelur, e para kur kjo qeveri të mbajë zgjedhje të lira dhe të ndershme”.



