Grevën e Albcontrol gazetari Genc Burimi e ka quajtur rrufe në qiell të hapur. Siç u shpreh ai në “Arnautistan” në MCN TV, më në fund në Shqipëri një grup punonjësish patën kurajo të humbasin rrogën dhe të hynin në burg për të kërkuar të drejtën e tyre, ndërkohë që shtoi se të gjithë duhet të ngrihen në grevë kur kontrata e punës cënohet.
Pjesë nga intervista:
Burimi: Ata janë heroj për mua. Kjo ishte një rrufe në qiell të hapur. Ky popull është i shtypur, i përbuzur. Këta punonjës, këta zyrtarë kur iu shkelet e drejta futen në burg.
Nano: Janë njerëz që mbrojnë interesat e tyre. Unë e konsideroj grevë të gabuar. Mënyra si u bë greva, ku nismëtarët e grevës u janë hakërryer atyre që nuk donin të merreshin me grevën. Ka qenë një grevë me probleme dhe unë kam parë një tërheqje të një pjese, të cilët janë në punë sot dhe kanë marrë pjesë për solidaritet.
Burimi: Harku i Triumfit është simbol në Francë dhe jelekverdhët e zhgarravitën. Populli i thjeshtë rebelohet. Më në fund në këtë vend patën kurajo të humbasin rrogën, të hyjnë në burg si te Erdogani. Në Europë grevat e kontrollorëve janë të ligjshme.
Nano: Këtu janë të paligjshme.
Burimi: Të gjithë duhet të ngrihen në grevë kur kontrata e tyre cënohet. Si ka mundësi që kjo prokurori reagon kaq shpejt. Nuk ka reaguar kaq shpejt as tek dosja e Tahirit, as tek dosja e Beketit. Një prokuror të guxojë të arrestojë këta me një të rënë bilbilit është skandal. Unë them që duhet tejkaluar debate kanë apo skanë të drejtë. Duhet të mbahet distancë nga ngjarjet, duhet guxim. Në një vend të këputur këta trima dalin e bëjnë grevë, bravo ju qoftë.



