
Në këtë Shqipëri që po ndryshon çdo ditë e më shumë, është e vështirë të gjesh jo vetëm njerëz profesionistë por edhe fëmijë të talentuar! Mbase nr i këtyre të fundit shtohet çdo ditë e më shumë, por ne nuk jemi në gjendje ose nuk duam ti shfaqim për mirë publikisht fëmijët e talentuar që të frymëzojnë me pastërtinë e tyre artistike.
Ky është Nikola Papailo i cili jeton në Berat dhe që zakonisht veron në Durrës. Pasioni i tij është i qartë në vetëm një drejtim: Pikturë-vizatim dhe jetë e shëndoshë artistike përmes bojës dhe lapsit.
Kur sheh qoftë dhe një pitkurë ose vizatim të Nikolës 13 vjeçar, bindesh se ai i ka të qarta kërkesat dhe mendimet, ndryshe nga ne të rriturit që endemi dhe endemi dhe vështirë se zgjidhim diçka!
Nikola ka frymëzim dhe vullnet të qendrueshëm. Kjo e bën atë tepër të ndryshëm nga bashkëmoshatarët e tij.
Të jeni të sigurtë: Kur një ditë Nikola të jetë rritur e unë mos ta njoh më, kur të shoh fare rastësisht krijimin e tij dhe të kënaqem duke e adhuruar veprën e bukur, ai do të jetë Nikola Papailo.
Nëse do të kishim një sistem të kulluar arsimor i cili do të vlerësonte saktë aftësitë që ka Nikola Papailo, ai do të merrte disa klase pa i bërë vitet e shkollës, dhe menjëherë si 13 ose 14 vjeçar do të gjendej në klasat e Akademisë së Arteve.



